2009-08-29 15:40:00

Salikohet e varroset Ted Kenedi: të pranishëm në kremtim, Obama e kardinali i Bostonit.


(29.08.2009 RV)Pas dy ditë homazhesh e një mbrëmësoreje lutjesh, ndjekur nga më se 50 mijë vetë, që e përshëndetën për herë të fundit Eduard (Ted) Kenedin në (Jfk) Library të Bostonit, bibliotekë presidenciale, kushtuar të vëllait, John Fitzgerald Kennedy, sot, në orën 10. 30 me orën vendase, 16. 30 me atë evropiane, për shpirtin e senatorit u kremtua Mesha e dritës në bazilikën katolike të Zojës Ndihmëtare (Our Lady of Perpetual Help). Kisha, në një nga lagjet më të populluara të Bostonit, u zgjodh nga vetë dekani demokratik, vdekur të martën e kaluar në moshën 77 vjeçare nga një tumor në tru, sepse pikërisht këtu vinte çdo ditë për t’u lutur për të bijën, Kara, sot 49 vjeçe, asokohe e sëmurë me tumor në njërën mushkëri.
Meshën e dritës e kryesoi Atë Donald Monan, jezuit; homelinë e mbajti Atë Mark Hesion, ndërsa presidenti amerikan Obama nderoi me një fjalim, kujtimin e dekanit të familjes Kenedi. I pranishëm edhe kardinali Shon O’Mali, kryeipeshkëv i Bostonit, i cili në të kaluarën e pati kritikuar Kenedin për qëndrimin e tij në përkrahje të abortit.
Kremtimi u shoqërua nga violonçelisti i famshëm Yo Yo Ma e nga zëri i yllit të muzikës lirike, Plaçido Domingo.
Të pranishëm, shumë miq, dashamirë, familjarë, ndërmjet të cilëve të bijtë, Eduard Kenedi i Riu e Patrik Kenedi; e bija, Kara Kenedi Alen; katër nipat e vegjël e nipat e vëllezërve të të ndjerit, pjesëtarë të njërës nga familjet më të mëdha e më tragjike të SHBA-ve. Ndërmjet politikanëve të shumtë, ish-presidentët Xhimi Karter, Bill Klinton e Xhorxh Bush.
Në përfundim të Meshës trupi i Ted Kenedit u nis me avion drejt Uashingtonit ku, mbi një shtrat topi, përshkoi rrugët kryesore të kryeqytetit, për t’u vendosur për pushimin e mbramë në varrezën e Arlingtonit, pranë pesë vëllezërve, ndërmjet të cilëve, Xhon e Robert Kenedi.







All the contents on this site are copyrighted ©.