2009-08-28 12:15:18

Çelësi i fjalëve të Kishës: kush quhet "Bir i Zotit"?


(28.08.2009 RV)Kur të krishterët dëgjojnë shprehjen “Bir i Zotit”, menjëherë mendojnë për Jezu Krishtin. Në Besëlidhjen e Re, Jezusi quhet Biri i Zotit 31 herë në tre Ungjijtë sinoptikë, 23 herë në Ungjillin sipas Gjonit, 42 herë në Letrat e ndryshme, 3 herë në Veprat e Apostujve dhe së fundi, një herë në Zbulesën e Gjonit. Por ky titull “Bir i Zotit” ka një histori para dhe pas Krishtit. Pikërisht këtë do të shpjegojmë në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues.
Të fillojmë me atë që ka ndodhur para Krishtit. Në Besëlidhjen e Vjetër “bij të Zotit” kishte një kuptim më të përgjithshëm. Aq është e vërtetë, sa quheshin kështu engjëjt (Jb 1,6; 2,1; 38,7). Por “bij të Zotit” ishin edhe izraelitët, siç deklaron vetë Hyji në fillimet e çlirimit eksodik nga skllavëria egjiptiane: “Izraeli është i parëlinduri biri im!” (Dj 4,22). Hyji sillet me Izraelin si Ati me birin: “Kur Izraeli ende ishte djalë”, i pohon Hyji profetit Oze, “unë e doja e prej Egjiptit e thirra birin tim… Unë e mësoja Efraimin të ecte, vetë i mbartja para duarsh” (11, 1.3).
Pikërisht sepse është atë, Zoti duhet të impenjohet për ta liruar të birin skllav, duke kryer atë funksion atëror që në hebraisht quhet “go’el”, apo funksion “shëlbimi”, funksionin e atij që shpërblen e çliron.
Por të bëjmë edhe një hap tjetër: “bij të Zotit” quheshin edhe hebrenjtë. Është rasti i mbretit David, për të cilin Zoti thotë: “Djalë të parë atë unë kam për ta emnue…Ti je Biri im, sot unë të kam lindur” (Ps 89,28 e 2,7). Është një lloj birësimi zyrtar që e bën të ligjshme funksionin e mëkëmbësit hyjnor, që i njihet sovranit. Por kemi aty edhe njohjen e besimtarit të thjeshtë si bir i Hyjit, siç thuhet në Librin e Urtisë: “veten e quan bir të Hyjit…dhe mburret se Hyjin e ka babë” (Urt2, 13.16). E më tej, “nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit, Ai patjetër do ta ketë kujdes”, e në gjykimin e mbramë, besimtari “do të numërohet ndër bijtë e Hyjit” (Urt 2,18; 5,5).
Bëhet gati kështu kalimi në Besëlindhjen e Re e në rrugën pas shpalljes së Krishtit si “bir i Zotit”. Në të vërtetë, është vetëm për hir të tij që të krishterët mund të bëhen bij adoptivë të Zotit, siç nënvizon Shën Pali Apostull, duke përdorur pikërisht fjalën juridike, që do të thotë “adoptim” apo “birësim”. Në Birin bëhemi edhe ne bij, megjithëse në një nivel të ndryshëm. Në fakt, Shën Gjoni Ungjilltar përdor dy fjalë greke për ta vënë në pah këtë ndryshim. Krishti është hyiòs, biri i parëlindur, ndërsa ne jemi tékna, gjithnjë bij, por të ndryshëm nga Jezusi.
Se në ç’kuptim jemi bij të Hyjit e shpjegon më së miri Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Romakëve: “Bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë –atëherë jemi edhe trashëgimtarë të Hyjit, bashkëtrashëgimtarë me Krishtin” (Rm 8,14-17). E cila është detyra jonë për të qenë bij të denjë të Hyjit? Mjafton të ndjekim fjalët e Jezusit në Ungjillin e Shën Mateut kur thotë: “Të lumë veprimtarët e paqes, sepse do të quhen bij të Zotit” (Mt 5,9)







All the contents on this site are copyrighted ©.