2009-08-28 18:17:07

U hap në Kastel Gandolfo takimi i Benediktit XVI me ish-studentët. Me ne kardinali Schönborn.


(28.08.2009 RV)RealAudioMP3 U hap sot e do të vijojë deri më 30 gusht, në Qendrën Mariapoli të Kastel Gandolfos, takimi i ish-studentëve të Benediktit XVI, që njihet me emrin “Ratzinger Schülerkreis: në qendër të vëmendjes, në seminarin veror, tema “Misioni, në perspektivë ekumenike”. Papa do të kryesojë Meshën përfundimtare të 31 gushtit.

Është një takim tashmë tradicional ky i Jozef Racinger dhe ish-nxënësve të tij, që filloi në vitet ’70, gjatë kohës kur ishte profesor në Universitetin e Regensburgut. Kur Pali VI, më 1977, e emëroi teologun Racinger kryeipeshkëv të Munih-Freising, studentët e tij menduan se takimi i përvitshëm nuk do të mbahej më. Por takimi vijoi. E edhe kur profesori Racinger u zgjodh në fronin e papnisë, u mendua se këto takime nuk do të mund të organizoheshin më. Po Benedikti XVI i thirri përsëri ish-nxënësit e tij.
Në takimet e viteve të kaluara është folur për “Marrëdhëniet me Islamin” (2005); “Krijimin dhe evolucionin”(2006-2007); “Lidhjen ndërmjet Ungjillit e Jezusit historik dhe domethënien shëlbuese të mundimeve” (2008), parë edhe nën dritën e librit të Papës “Jezusi i Nazarenit”.
Në reflektimin e sivjetëm janë të pranishëm 40 ish-studentë, ndërmjet të cilëve edhe kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Kristof Schönborn, i cili na flet për temën e takimit të sapofilluar, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sivjet do të flitet pikërisht për misionin, për detyrën misionare të Kishës. Tema u zgjodh nga vetë Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Hirësi, a mund të na thoni diçka për atmosferën e këtyre takimeve me Atin e Shenjtë. Ndjehet ende lidhja mësues-nxënës?

Përgjigje: - Sigurisht, kjo mbetet; e duket qartë se për Atin e Shenjtë ky është një çast shkëputjeje nga impenjimet e përditshme, për të ndenjur me ish-nxënësit, ashtu si rrinte shumë vjet më parë, kur ai ishte profesor e ne ishin nxënësit e tij.

Pyetje: - Ju thatë se argumenti është misioni. A mund të mendohet për misionin, parë në këndvështrimin e bashkëpunimit me konfesionet e tjera në Evropë?

Përgjigje: - Natyrisht. Zoti na bën thirrje të japim një dëshmi të përbashkët. Këtë thirrje urgjente na e bën vetë Jezusi!







All the contents on this site are copyrighted ©.