2009-08-28 18:22:55

Toni Bler në Mitingun e Riminit:"Krenar për rrënjët e krishtera, feja e shkenca janë aleate.


(28.08.2009 RV)Në Mitingun e Riminit, që vijon, duartrokitet diskutimi i Toni Bler, në sa flitej për marrëdhëniet ndërmjet shkencës e fesë.Identiteti judaiko-kristian e rëndësia e Kishës katolike ishin temat kryesore në diskutimin e shumëduartrokitur, mbajtur në Mitingun e Riminit nga ish-kryeministri britanik, Toni Bler, aktualisht i dërguar për paqen në Lindjen e Mesme me mandatin e ‘Katërshes: OKB, Bashkim Evropian, SHBA e Rusi’. Të shumta diskutimet edhe sot në Miting: duke nisur nga roli i qyteteve për kapërcimin e krizës në ekonominë italiane, tek vlera e edukimit fetar – mbajtur si zakonisht, prej personalitetesh të shquara, nga mbarë bota.
“Zëri i Kishës duhet dëgjuar, që globalizimi të mund të qeveriset, të jetë mjet e jo padron”. Thirrja është e ish-kryeministrit britanik, Toni Bler, i cili fitoi menjëherë simpatinë e të gjithë pjesëmarrësve në Miting, duke treguar edhe rrugën e kthimit të tij në fenë katolike. “Gjithë fajin e ka ime shoqe” – tha duke qeshur. Në qendër të diskutimit të tij ishte pikërisht feja, që nuk i kundërvihet arsyes, përkundrazi. Bler kujtoi disa herë Enciklikën e re të Papës “Caritas in Veritate” e foli për rrugën e tretë, atë të ndihmës, të cilën ai është munduar ta përshkojë në Britaninë e Madhe: organizatat e shoqërisë civile, vullnetariati, mund të bëjnë gjëra, që as shteti e as tregu nuk janë në gjendje t’i bëjnë. Por njeriu e shteti nuk mjaftojnë: duhet feja - pohoi në mënyrë të qartë ish-kryeministri britanik:
“Faith not as magic...
Një fe që nuk i ngjet magjisë, që nuk është rrugë për t’u arratisur nga tronditjet e jetës, përkundrazi, një fe që përbën qëllimin e vetë jetës”.
Prej këndej, Bler pohoi se mund të dialogohet konkretisht, se mund të realizohet një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet feve, ashtu si ka bërë Fondacioni i tij për fetë në Nigeri, ku lufton me sukses kundër malaries. Por në dialog, në shoqëritë shumetnike, nuk duhen humbur rrënjët judaiko–kristiane – nënvizoi Bler – sepse janë një pasuri, për të cilën duhet të jemi krenarë.
Globalizimi – shtoi ish-kryeministri - merr kuptim vetëm në se mbahemi fort pas identitetit të formuar në rrjedhë shekujsh – dhe e vijoi diskutimin e tij, me theksin mbi situatën në Tokën Shenjte, duke nënvizuar domosdoshmërinë e krijimit të dy shteteve, me besim reciprok..
“Ta bësh Tokën Shenjte vend të fesë e të paqes, do të ishte simboli më i madh i pajtimit për mbarë botën” – përfundoi mes duartrokitjeve të publikut vigan prej 10 mijë vetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.