(28.08.2009 RV)Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin
e njëzetekatërt të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja shqiptare na bën një ftesë
me rëndësi të dorës së parë për jetën tonë shpirtërore, ftesë që Kisha e përsërit
vazhdimisht: na fton të ecim në rrugën e shenjtërisë. E, duke mos u mjaftuar vetëm
me ftesën, na tregon edhe ç’duhet të bëjmë, për të synuar amshimin: të lutemi, të
besojmë, të duam! ‘Fe e dashuri’ – me këto fjalë mund ta përmbledhim
sot ftesën e Themelueses së Motrave të Bamirësisë:
“Të jeni të shenjtë: nuk
kërkoj tjetër nga ju. Rruga për shenjtëri është lutja. Duhet të besojmë, ta
bëjmë fenë tonë të prekshme e të gjallë, përmes dashurisë. Filloni, secili nga
shtëpia e vet. Është më e vështirë t’i duash njerëzit e shtëpisë sate, të afërmit,
sesa të largëtit. Duani! Duajeni Jezusin në të afërmin. Shërbejeni në të
tjerët. Duani, deri në dhimbje. Dashuria e vërtetë dhemb gjithnjë. Por
pikërisht për këtë arsye është e vërtetë, e pastër. Të lutesh, do të thotë të flasësh
me Zotin. Ai na flet e ne e dëgjojmë. Ne flasim e Ai na dëgjon. Një proces
i dyfishtë i fjalës së thënë e i fjalës së dëgjuar. Përsëriteni shpesh këtë lutje
shigjetore: “Jezus, besoj me gjithë zemër në dashurinë tënde të ëmbël e të dua me
gjithë shpirt!”. Sa më shumë të lutemi, aq më lehtë do ta kemi për të bërë diçka
të mirë. Sa më e lehtë të bëhet për ne lutja, aq më shumë do të lutemi. Kërkojuni
meshtarëve të famullisë suaj t’ju mësojnë të luteni. Kërkoni e do t’ju mësojnë
me kënaqësi. Thojeni Atynën dalë-nga-dalë. Duke e medituar në lidhje me të përditshmen
tuaj, me njerëzit që ju rrethojnë në familje, në vendin e punës, në çastet e prehjes. Lutuni
në shtëpitë tuaja ditë për ditë. Në se nuk keni shumë kohë, lutuni së paku për
pesë minuta. Përpiquni ta ktheni çdo veprim në lutje falënderimi drejtuar Zotit,
kudo që të jeni: në punë e në shtëpi, në rrugë e në shëtitje e, sidomos, në gjunjë
para tabernakullit, në Kishë!”.