2009-08-28 18:18:28

Komunikatë e Komisionit të përhershëm dypalësh të punës Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit.


(28.08.2009 RV)Komisioni i përheshëm dypalësh i punës Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit u mblodh të mërkurën e kaluar, për të vijuar bisedimet mbi “Marrëveshjen Ekonomike”. Sipas njoftimit të komunikatës së përbashkët, hartuar në përfundim të punimeve, “Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë shumë të përzemërt dhe delegacionet besojnë se dhanë një ndihmesë të ndjeshme për ta çuar përpara dialogun drejt arritjes së marrëveshjes së dëshiruar”.
Kujtojmë se në këtë takim të Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit u bisedua kryesisht për mundësitë e arritjes së marrëveshjes mbi të gjitha çështjet e pronave e të taksave, në mënyrë që Kisha të ketë atë siguri juridike e fiskale, që i krijon kushtet për ta zhvilluar qetësisht apostullimin e saj.
Sipas Marrëveshjes së vitit 1993, të dyja palët qenë impenjuar të arrinin, lidhur me argumetet e taksave e të pronave, një mirëkuptim dypalësh. Kapitujt tashmë njihen nga të gjithë: mbrojtja e pasurisë kishtare, posaçërisht e Viseve të Shenjta; garancia e mbrojtjes gjyqësore në rast kundërshtimesh; regjim fiskal për Kishën, që ia njeh e ia ripohon të drejtat ekzistuese në çastin e krijimit të Shtetit të Izraelit; sigurime shoqërore për klerin e rregulltarët.
Kur Selia e Shenjtë lidhi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, në vitin 1993, si shprehje e vullnetit të mirë, Gjon Pali II zgjodhi rrugën e propozimit të një ‘Marrëveshjeje Themelore’, për t’i diksutuar më vonë hollësisht të gjitha problemet që shtroheshin për zgjidhje.
Në përfundim të takimit, Komisioni dypalësh botoi edhe programin për bisedimet në muajt e ardhshëm. Do të vijojnë më 15 e 16 shtator në Jeruzalem. Në korrikun e kaluar u njoftua edhe se takimi i ardhshëm plenar i Komisionit do të mbahet më 10 dhjetor 2009, në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.