Kisha kujton Shën Agostinin. Jeta e vepra e tij na mësojnë se Zoti është përgjigjia
e vetme e shqetësimeve tona.
(28.08.2009 RV)Sot me 28 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin,
ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, Autor i shkrimeve të shumta, është ndër Etërit
e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet e dogmat e krishterimit. Jashtëzakonisht
të njohura janë Rrëfimet e tij, një autobiografi e veçant në të cilën shenjti afrikan
rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje të kthimit të tij tek Zoti.
Shën Agostini lindi në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri,
më 13 nëntor të vitit 354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë
të krishterë, por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste.
Më 387 shkoi në Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi
vendimtare për kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit.
U rikthye në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes
së nënës, shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike,
mistike, filozofike e polemike – pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër
herezive, me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76
vjeçare. Këto vepra, ndërmjet të cilave kujtojmë “Rrëfimet” dhe ‘Qyteti i
Zotit’, jo vetëm që i dhanë titullin Doktor i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj
dite thellësisht aktuale. I mësoi njeriut se për të gjetur vetveten, duhet të takohet
me Zotin-Dashuri!. Për këtë aktualitet ka folur shpesh Papa Benedikti
XVI, duke i kushtuar Shën Agostinit katër katekizma gjatë audiencave të përgjithme
mbajtur ne janar-shkurt 2008. Papa e quan Shën Agostinin, model ideal për
lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që na lë të kuptojmë se kush nuk dëshiron t’i
afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Agostini kërkonte një fe, që të ishte shprehje
e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga
feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht e bëri të mos
kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin zotin
si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep (dhuron) jetë. Ky kërkim – shpjegon
Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, në sintezën ndërmjet fesë
e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra
e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç
shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos”,
fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”. “Beso për të
kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikëarritjen
e Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës…
por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin
e për të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa, duke
folur për Shën Agostinin - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është
fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij:
“Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet
e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini
– por ktheju tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon
se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet
drita e arsyes. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet),
autobiografia e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe
vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim
nga vevetja”. Papa kujton edhe reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për
jetën, duke nënvizuar posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun: “Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë
që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg
Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten
vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë,
tek identiteti i tij”. “Njeriu është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore
për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe
sot – na kujton Papa - duke theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është
Krishti ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin
pranë Hyjit. Papa flet edhe për konceptin e Kishës në vizionin agostinian, që e quan
Krishtin krye e ne, gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia
e Hyjit’. E kujtojmë se pikërisht kësaj teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953,
i kushtoi tezën e doktoratit në teologji. Ndërsa sipas Papës Vojtila, Agostini
i mëson njeriut të sotëm se shpresa për ta gjetur të vërtetën ekziston.