2009-08-27 17:10:33

Çelësi i fjalëve të Kishës: "Mishërimi"


(27.08.2009 RV)“Ja do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë”. Kush nuk i njeh këto fjalë të engjëllit të Zotit drejtuar Shën Marisë, kur e lajmëron për lindjen e Jezusit. Është “mishërimi” i Birit të Hyjit, e pikërisht mbi këtë fjalë do të ndalemi në emisionin e sotëm.
“E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne”. Kjo frazë e famshme e Ungjillit sipas Gjonit shpreh, qartë dhe shkurt, misterin qendror të krishterimit, i cili nga teologët quhet “Mishërim”. Biri i Zotit të amshuar dhe të pasosur, “Fjala që ishte Zot”, bëhet njeri, duke ndarë kështu me krijesën e vet vuajtjen dhe vdekjen. Shën Gjoni Ungjilltar e përshkruan plotësisht këtë takim ndërmjet hyjnisë dhe njerëzimit në Letrën e tij të parë: “Çka ishte qysh në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës: po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe e dëshmojmë” (1, 1-2).
Madje, do të ripohojë vazhdimisht se “çdo shpirt që dëshmon se Jezu Krishti ka ardhur në korp, është prej Hyjit” (4,2). Dihet që në gjuhën biblike fjala “korp” (trup) nuk ka të bëjë vetëm me qënien fizike, por edhe me ekzistencën njerëzore dhe shprehjet e ndryshme të saj historike, të përditshme e jetësore.
Në këtë dritë, mund të themi se Ungjijtë janë dëshmi koherente dhe e vazhdueshme e Mishërimit: Jezusi i Nazaretit flet e vepron brenda koordinatave historike e gjeografike, tundohet, lodhet e lufton me të keqen e mëkatin e kësaj bote, bën përvojën e miqësisë e të tradhëtisë, mbetet vetëm e vuan, gëzon e loton e arrin në humnerën e vdekjes, pasi ka kaluar madje edhe çastin e errët të heshtjes së Atit hyjnor (“Zoti im, Zoti im, përse më ke braktisur?”). Siç vëren Shën Pali Apostull, ai “edhe pse me natyrë Hyj,barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s'mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq” (Fil 2, 6-8).
Sigurisht, në Letrën drejtuar Romakëve, Apostulli deklaron se “Hyji e dërgoi Birin e vet në gjendjen e korpit të mëkatit” (8,3), por duhet pasur parasysh se në gjuhën e Shën Palit “korpi” (trupi) nuk është, si për Shën Gjonin Ungjilltar, ekzistenca dhe realiteti njerëzor, por fara e mëkatit, që e shkatërron njeriun.
Krishti pra, është njeri i vërtetë, është korp (trup) i vërtetë, por nuk ka në vetvete farën e së keqes, “trupin” mëkatar. Vëllazëria e Krishtit me ne është pra reale dhe e plotë, por e tillë, që na ngre e na çon drejt një rruge të re e të gjallë shëlbimi, pasi hyjnia e tij na kthen në “krijesa të reja”, në “njerëz të rinj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.