Sot me 27 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Monikën, Nënën e Shën Agostinit,
model gjithmonë aktual për gratë e shekullit XXI
(27.08.2009 RV)Figurën e Shën Monikës e njohim prej shkrimeve të të birit,
Shën Agostinit, i cili e përshkuan si një grua të fortë e me fe të patundur në Zotin.
Monika jetoi në shekullin e IV, pra lindi në Tagaste, qytet i lashtë i Numidisë, në
vitin 332. Në kundërshtim me zakonet e kohës, Monikës i qe lejuar të studionte e ajo
përfitoi nga rasti për lexuar Biblën e medituar Fjalën e Zotit. U martua me Patricin,
pronar i vogël i Tagastes, anëtar i këshillit bashkiak. I shoqi, që nuk qe besimtar,
po ishte njeri i mirë e i përzemërt, por edhe zemërak e autoritar që i kurseu vuajtje
të mëdha e pabesnikëri. Monika diti t’i kapërcente të gjitha vuajtjet e dhimbjet duke
iu lutur Zotit për kthimin e burrit në fenë e krishterë, i cili vdiq pasi kërkoi Pagëzimin.
Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Agostini, Navigo e një vajzë, që nuk i dihet
emri. 39 vjeçe, Monika mbeti e vejë e iu desh të kujdesej për të gjithë familjen.
Natën e Pashkëve të vitit 387, realizoi ëndrrën më të bukur të jetës: e pa Agostinin,
që ishte transferuar në Milano dhe ishte bërë i krishterë i bindur, duke u pagëzuar,
së bashku me të gjithë familjarët. Domethënë Zoti i kishte pranuar lutjet e saj, i
kishte parë lotët e saj. Më pas Agostini vendosi të rikthehej në Afrikë e të ndiqte
jetën murgare. Në veprën e tij të famshme ‘Rrëfime’, i kushton vëmendje të posaçme
bisedave shpirtërore me nënën e tij Monikën, në shtëpinë e qetë të Osties, etapë e
ndërmjetme, para nisjes për në Afrikë, që e përforconin në fe dhe e mbushnin me ngushëllim:
tashmë ajo, më shumë se nënë, ishte për të birin burim i krishterimit.
Monika
vdiq pasi vuajti nga ethe tepër të forta, ndoshta nga malaria. Ishte data 27 gusht
e vitit 387 e ajo sapo i kishte mbushur 56 vjet. Bijve u la amanet ta varrosnin trupin
e saj ku të donin, pa u shqetësuar për këtë, por ta kujtonin kudo që ndodheshin, para
elterit të Zotit. Ashtu si Zoja e Bekuar, së cilës u përpoq me të gjitha forcat
t’i përngjante, Monika qe “seli e dijes e nënë e shtëpisë”, sepse mbolli dijen shenjte
në zemër të të bijve, duke i dhuruar botës një gjeni, si Shën Agostini, ipeshkëv e
Doktor i Kishës.
Trupi i Shën Monikës mbeti në Kishën e Shën Aureas të Ostias
me shekuj, deri më 9 prill të vitit 1430, kur reliket e nënës së Agostinit u mbartën
në Romë, në Kishën e Shën Trifonit, sot e Shën Agostinit, e u vendosën në një sarkofag
të skalitur mjeshtërisht nga Izaia i Pizës, në shekullin XV.
Shën Monika është
model e pajtore e grave dhe nënave të krishtera, sepse përmes fesë në Krishtin, diti
t’i përballonte vështirësitë e jetsë duke qëndruar pa u luhatur në shpresën e Hirit
të Zotit. Shën Monika besoi në mënyrë të bindur në dashurinë e Zotit si dhuratë për
njeriun, që e shpie njeriun në realizimin personal e në mirën dhe të vërtetën e jetës.
Emri i saj është shumë i përhapur e festa i kremtohet më 27 gusht, një ditë para festës
të të birit, që vdiq më 28 gusht të vitit 430.