2009-08-27 11:55:36

Rubrika "Me Nënë Terezën”: “Zoti e do heshtjen”.


(27.08.2009 RV)Vijojmë me leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’ që rrëfen jetën e veprën e të Lumes Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiut. Sot në emisionin e 23-të të ciklit ‘Me Nënë Terezën’ ndodhemi përsëri para një propozimi të papritur e të pazakontë për shoqërinë bashkëkohore. Në një botë që i do ngjarjet e bujshme, që jeton mes zhurmash, që nuk mund ta durojë veçimin, tërheqjen, heshtjen, që dëshiron ta mbushë zemrën me kënaqësitë e prekshme të çastit, Nënë Tereza na fton t’i mbushim zemrat me Jezusin, që pastaj të mund t’ua dhurojmë Atë edhe të tjerëve. E duke e dhuruar, të gjejmë lumturinë! Për këtë s’na duhen propaganda, as topa as bomba. Kemi nevojë vetëm për një lidhje sa më të ngushtë me Zotin. Por a mund të bisedohet sy për sy me Zotin në mes të zhurmave? Nënë Tereza na kujton se “Zoti e do heshtjen”:


“Në se nuk e kemi Jezusin në zemrat tona, është e pamundur t’ua japim edhe të tjerëve.
Ne të gjithë, e secili nga ne, duhet të jemi kasnecët e dashurisë së Zotit.
Por, që të mund ta bëjmë këtë, duhet më parë të thellojmë jetën tonë të dashurisë, të lutjes, të flijimit.
Duhet të çojmë paqe, dashuri e mirësi në botën që na rrethon.
Prandaj nuk kemi nevojë për topa e bomba.
Kemi nevojë vetëm për dashuri të thellë e për bashkim të thellë me Krishtin.
Vetëm kështu mund t’ua dhurojmë edhe të tjerëve.
Mirësia e dashuria duhet të na rriten në shpirt, duke nisur nga bashkimi ynë me Krishtin.
Dashuria për familjen, për të afërmit e për të gjithë të varfërit, do të jetë fryt i natyrshëm i këtij bashkimi me Të.
Ta thellojmë, pra, dashurinë tonë për Krishtin; ta njohim gjithnjë më mirë Zotin tonë.
Kjo njohje do të na bëjë të aftë për të dashur.
E dashuria do të na bëjë të shërbejmë si mjete të paqes, të mëshirës, të ngushëllimit, të përdëllimit.
Duhet ta gjejmë Zotin, por Zoti nuk mund të gjendet mes poteres e shqetësimit.
Zoti është mik i heshtjes.
Shikojeni natyrën: drurët, lulet, barin e fushave, si rriten në heshtje të plotë. Nuk dëgjohet kurrfarë zhurme, kur kërcelli hedh shtatin e brishtë.
Shikoni yjet, hënën, diellin: lëvizin në heshtje të plotë.
A nuk është misioni ynë t’ua çojmë Zotin të varfërve në lagjet e mjerimit? Jo një zot të vdekur, por një Zot që jeton e dashuron.
Sa më shumë ta marrim në uratën e heshtur, aq më shumë do të mund t’ua dhurojmë të tjerëve në jetën tonë aktive.
Kemi nevojë për heshtje, që të arrijmë pastaj deri në thelbin e zemrave.
Nuk ka pikë rëndësie ajo që themi ne. E rëndësishme është ajo që thotë Zoti përmes nesh.
Të gjitha fjalët tona janë pa pikë vlere, në se nuk dalin drejtpërdrejt nga shpirti.
Çdo fjalë, që nuk e pasqyron dritën e Krishtit, e bën gjithnjë më të dendur errësirën në zemrën e njeriut e të botës.
Në se duam vërtetë që mbi botën të mbretërojë dashuria, duhet të kthehemi tek Eukaristia e tek adhurimi.
Atëherë do ta ndjejmë si rritet, pa kurrfarë zhurme, dashuria jonë për Jezusin e për njeri-tjetrin, gjë që na bën të ndjehemi të lumtur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.