2009-08-26 20:02:25

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç'është "trashendenca"?


(26.08.2009 RV)Shpesh dëgjojmë në Kishë fjalën “trashendencë”. E përdorim për Zotin dhe për veprën e tij, por cili është kuptimi i saj për të krishterët? Sot, të dashur dëgjues do të ndalemi pikërisht tek kjo fjalë.
“Në mbarë botën, nuk është askush si unë” (Dalja 9,14). Mund ta përdorim këtë frazë si shprehjen biblike të një koncepti, i cili është quajtur nga filozofia e teologjia me fjalën “trashendencë”. Në vetvete, kjo fjalë tregon tejkalimin, shkuarjen përtej horizontit të krijuar e të kufizuar, prandaj, përcakton absolutin, të amshuarin, të përsosurin, të pasosurin.
Për këtë arësye, fjala përdoret për Zotin dhe misterin e tij të pakrahasueshëm e të pashqyrtueshëm dhe arrin të sintetizojë paraqitjen e hyjnisë biblike, ndryshe nga koncepte të tjera, që e konsiderojnë Zotin vetë botën, apo energjinë e saj jetësore.
Bibla mohon reduktimin e hyjnisë në figure, siç dënon Dekalogu, ose siç ndodh në tregimin e viçit të artë (Dalja 34). Përsëritet vazhdimisht se Zoti është “i shenjtë”, pra “i ndarë” nga kuadri i realitetit të krijuar; ekzaltohet fuqia e tij e gjithpushtetshme, dituria e përgjithshme dhe amshimi (shih Psalmin 139/138); deklarohet se është “i tmerrshëm, i shkëlqyer, sublim”. Përvijohet më pas një mënyrë shprehjeje e veçantë për trashendencën, ajo që quhet “pakrahasueshmëria, apo pashqyrtueshmëria” hyjnore.
Ja një sërë frazash, të marra nga Bibla, që tregojnë këtë ndryshim absolut, i cili e bën Zotin krejtësisht “tjetër” në krahasim me realitetin e krijuar: “Nuk ka asnjë njëlloj me Zotin… Kush është si Ti, madhështor në shenjtëri?... Askush s’është njëlloj me Zotin e Izraelit… Nuk ka një Zot si ti… Hyji është përmbi veprat e tij… Unë jam Zoti e nuk ekziston askush tjetër”, e kështu me radhë.
Trashendenca shprehet edhe me simbolin e qiellit që është “përtej”, është “diçka tjetër” në krahasim me tokën: “Zoti e ka fronin në qiej” (Psalmi 11,4); “Zoti është në qiell e ti je në tokë” (Kishtari 5,1): “Ati ynë që je në qiell” (Mateu 6,9). Edhe qiejt kanë rrjedhur prej tij, por Zoti është tjetër në krahasim me to. “Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë!” thotë Salomoni në ditën e shugurimit të tempullit të Jeruzalemit (1Mbre 8,27).
Kjo frazë e mbretit të famshëm të Judesë vazhdon më pas, duke vënë në dukje se trashendenca hyjnore nuk do të thotë izolim e vetmi. Zoti dëshiron t’ia zbulojë veten njerëzve, duke iu përshtatur hapësirës njerëzore të tempullit, në rastin e Salomonit, por më në përgjithësi, Ai, që është i amshuar, vendos të ndërhyjë e të veprojë në historinë e shëlbimit. Shpesh, Zoti përdor engjëjt për të ruajtur pastërtinë e trashendencës së vet, por nuk heziton të bëhet edhe “Emanuel”, “Zoti-me-ne”, derisa mbërrin në kthesën radikale me Jezu Krishtin, që është Bir i Zotit, Fjalë e amshuar dhe e pasosur, por edhe “korp” (trup), i mishëruar në kohë e në hapësirë, që mund edhe të vdesë si njerëzit.
Pa dyshim, Zoti mbetet Zot, mendimet e tij nuk janë tonat, siç thotë Isaija (55,8), gjykimet e tij janë të pashqyrtueshme e rrugët e tij të pavëzhgueshme (Rom 11,33); ai është i pari, e megjithatë, është njëkohësisht me të fundmit, siç pohon Isaija (41,4), i cili e përcakton si një “Zot të fshehur”, pra të mistershëm, që nuk mund të kuptohet me skemat e planet njerëzore. “Unë jam ai që jam”, i deklaron Zoti i shenjtë dhe trashendent Moisiut. E megjithatë, pikërisht ai Zot hyn në histori për të shpëtuar Izraelin. Po ashtu, Ai, që askush nuk e ka parë, do të zbulohet nga biri i tij, dërguar në botë për hir të dashurisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.