2009-08-26 20:04:14

Vdes senatori Ted Kenedi, protagonisti i fundit i familjes simbol të politikës amerikane


(26.08.2009 RV)RealAudioMP3 Amerika është në zi për vdekjen e senatorit demokrat Eduard apo Ted Kenedi, i cili ndërroi jetë gjatë natës së djeshme, në moshën 77 vjeçare, pas një lufte të gjatë kundër tumorit në tru. Ngushëllime janë shprehur nga presidenti amerikan Obama, politikanë, krerë shtetesh e qeverish nga e gjithë bota. Katolik, i zgjedhur në Senat në vitin 1962, emri i tij është i lidhur ngushtësisht me atë të dy vëllezërve, Xhon dhe Robert. Pavarësisht nga sëmundja, Ted Kenedi, i quajtur “luan demokrat”, u impenjua me të gjitha forcat për zgjedhjen e Barak Obamës si president të SHBA-ve. Pikërisht ky i fundit, me rastin e vizitës në Vatikan më 10 korrik të këtij viti, i dorëzoi Papës një letër nga senatori. Por të dëgjojmë një koment mbi figurën e tij nga profesori i nderit i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Stanfordit, Xhuzepe Mamarela:
Ishte një nga senatorët më të vjetër, nga ata që kanë shërbyer më gjatë e që kanë prodhuar, ndër të tjera, një sasi të pamendueshme projektligjesh. Është një person që pa dyshim e ka dominuar jetën politike të një pjese të partisë së vet: konsiderohej më “liberal” e kjo në gjuhën e amerikanëve do të thotë të jesh më progresist, më në të majtë. Por kishte edhe një funksion tjetër, atë të udhëheqjes së familjes Kenedi. Ishte patriarku i familjes pas vdekjes së dy vëllezërve, Xhon Kenedi i vrarë në Dallas dhe Robert Kenendi, i vrarë më 1968 në Los Anxheles gjatë fushatës zgjedhore. Në fund të fundit, ai pati mbetur përfaqësuesi i kësaj familjeje, që vazhdoi e do të vazhdojë, në një farë mase, të japë kontributin e vet në jetën politike amerikane.
Sipas jush, cili ka qenë suksesi më i madh i Eduard Kenedit?
E gjithë puna që ka bërë gjatë viteve për të miratuar një sërë ligjesh mbi emigracionin, për shembull, mbi shëndetësinë, mbi të drejtat civile… Trashëgimia e familjes Kenedi është akoma një mit në SHBA, por Eduard Kenedi, ndoshta, ishte shprehja e fundit e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.