2009-08-26 20:01:44

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Ja si i shërbejmë ne Zotit”.


(26.08.2009 RV)Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e njëzetedytë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’ e Lumja, që sot mbush 99 vjet, duke shpalosur kështu para nesh ditën e parë të vitit, në përfundim të të cilit do të kremtojmë njëqindvjetorin e ditëlindjes së Gruas më të shquar, që i dhuroi botës së madhe - bota e vogël shqiptare, na flet për “mënyrën si i shërben Zotit”:

“Mesha është ushqimi kryesor, që më mba gjallë.
Pa të nuk mund të rri në këmbë as për një orë, jo më për një jetë të tërë.
Në Meshë e shikojmë Jezusin nën pamjen e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim Krishtin në trupat e drobitur, ashtu si e shikojmë dhe e prekim në trupthat e fëmijëve të braktisur.
Nganjëherë më pushton trishtimi, kur shikoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë.
Në të vërtetë kjo që bëjmë, s’është tjetër, veçse një pikë uji në një oqean të pafundmë. Është diçka tepër e vogël. Mezi ndjehet, në pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.
Në se ka njerëz që jetojnë me bindjen se Zoti dëshiron prej tyre të punojnë për përmbysjen e strukturave të shoqërisë, kjo është punë për ta e për Zotin.
Secili nga ne duhet të shërbejë në gjendjen konkrete, ku Ai na ka thirrur e vijon të na thërrasë.
Unë jam e thirrur t’u jap ndihmën time njerëzve, t’i dua të varfërit, të gjithë e secilin prej tyre.
Detyra ime nuk është të punoj ndër institucione e aq më pak, t’i gjykoj të tjerët.
Në Eukaristi ne e shikojmë Krishtin pas dukjes së bukës.
Në lagjet e mjera, e zbulojmë pas pamjes së dhimbshme të të varfërve.
Por Eukaristia e të varfërit për mua s’janë tjetër, veçse një dashuri e vetme. Vetëm në qiell do të mund të fitojmë vetëdijen e plotë të borxhit që u kemi të varfërve, sepse na ndihmojnë ta duam më shumë Zotin përmes tyre.
Nuk është vështirë t’i duash njerëzit, kur janë larg teje. Larg syrit e pranë zemrës.
Por nuk është aspak e lehtë t’i duash edhe ata, që i ke fare pranë. Atëherë ndodh e çuditshmja: njeriu që ke pranë syrit, bëhet tejet i largët për zemrën.
Është më e lehtë të japësh një pjatë oriz, sesa të lehtësosh vuajtjen e njeriut të vetmuar, me të cilin banon nën të njëjtën çati.
Të duam, pra, duke nisur nga njeriu që e kemi fare pranë, për të pushtuar më pas, me dashurinë tonë, gjithë botën. E pikërisht kjo do të thotë t’ia çosh Krishtin mbarë njerëzimit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.