Nënë Tereza në 99 vjetorin e ditëlindjes na dhuron këtë testament
(26.08.2009 RV) Sot e Lumja Nënë Terezë mbushi 99 vjet. Plot mirënjohje për
Emrin e saj të madh, që ua la trashëgim të gjithë besimtarëve katolikë e posaçërisht
shqiptarëve, zgjodhëm për ne sot këtë rrëfim bazuar tek libri ‘Jeta ime’, që
tingëllon si testament: “Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten. Jam
lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia. Ai
më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme. Tashmë,
për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar. Pranova të përfaqësoj
të varfërit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të
keqtrajtuarit, të verbërit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga
radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore
e takimin e njeriut me njeriun. Jam thellësisht e bindur se e keqja më e
madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet,
lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd. Nga ana ime mundohem t’u jap
të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para. Unë
nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një
miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit. Kur vërej
si trajtohen të varfërit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet
nga të vetët. Kush nuk i përfill të varfërit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfërit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë
kurrë lodhje. Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte. Pa
të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë. Në
Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë
dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur. Shpesh herë,
kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë. Ajo
që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim
gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore. Por në se secili
nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfërit do të
bëhen një dashuri e vetme!".