2009-08-26 19:59:57

Në audiencën e përgjithshme, Papa i nxiti liderët botërorë ta mbrojnë ambientin me frymën e solidaritetit për të varfërit.


(26.08.2009 RV)RealAudioMP3 Njeriu nuk është pronar absolut i Krijesës. Nuk është zot i gjithësisë! Benedikti XVI u kërkoi liderëve ndërkombëtarë ta mbrojnë mjedisin, duke u solidarizuar me të varfërit e duke respektuar ligjet. E bëri këtë thirrje sot paradite, në Kastel Gandolfo, gjatë audiencës së përgjithshme, në praninë e rreth 5 mijë e 500 besimtarëve, ndërmjet të cilëve, 2 mijë gjermanë.
Shtegtarët gjermanë u mblodhën për një takim të dytë në oborrin e Kastel Gandolfos, tepër i vogël për t’i zënë të gjithë së bashku.
Pas pjesës së parë të audiencës, Papa shkoi në Sallën e Zviceranëve, për të përshëndetur personalisht disa persona e, më pas, doli përsëri në ballkon, duke u drejtuar shtegtarëve një përshëndetje të shkurtër në gjuhën gjermane.

Fundi i gushtit përkon edhe me fundin e pushimeve. Përfundojnë për shumkënd shëtitjet verore në gjirin e mrekullueshëm të natyrës, që të mahnit. Por natyra nuk ka vetëm një stinë: ajo na dhuron bukuri në të gjitha stinët. Prandaj Papa, gjatë audiencës së sotme, duke kujtuar kthimin e veronjësve në jetën e përditshme, brohoriti: “Si të mos e falënderojmë Zotin për dhuratën e çmuar të Krijesës, të cilën mund ta shijojmë, e jo vetëm në kohën e pushimeve”. Por Benedikti XVI nuk mund të mos kujtonte edhe lidhjen shumëplanëshe të njeriut me natyrën:
Fenomenet e ndryshme të shkatërrimit ambiental dhe fatkeqësitë e natyrës, që për fat të keq i regjistron shpesh herë kronika, na kujtojnë sa urgjente është të respektohet natyra, duke rivendosur e duke rivlerësuar në jetën e përditshme, lidhjen e drejtë me ambientin”.
Kisha, gjithnjë e impenjuar në mbrojtjen e tokës, të ujit e të ajrit, përpiqet me të gjitha forcat ta mbrojë njeriun nga shkatërrimi i vetvetes:
“Në se mungon lidhja e krijesës njerëzore me Krijuesin, materia i nënshtrohet vetëm përdorimit egoistik, njeriu bëhet instanca e fundit, e qëllimi i jetës kufizohet në rendjen e ethshme për të pasur sa më shumë që të jetë e mundur”.
Sa rëndësi ka, atëhere – nënvizoi Ati i Shenjtë – që bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e veçanta t’u japin qytetarëve të tyre sinjalet e duhura për t’iu kundërvënë me sukses mënyrave të dëmshme të përdorimit të ambientit:
“Kostot ekonomike e shoqërore, që lidhen me përdorimin e burimeve ambientale të përbashkëta, të vlerësuara në mënyrë transparente, duhen mbështetur nga ata që i shfrytëzojnë e jo nga popullsitë e tjera ose nga breznitë e ardhshme. Mbrojtja e ambientit, ruajtja e burimeve dhe e klimës, kërkojnë që drejtuesit ndërkombëtarë të veprojnë bashkërisht, duke respektuar ligjin e solidaritetin, posaçërisht kur është fjala për zonat më të ligështa të tokës”.
Prandaj modeli aktual i zhvillimit global duhet ndryshuar – nënvizoi me forcë Benedikti XVI – duke kujtuar, në përfundim, shkandullin e urisë e të mjerimit e duke e përfunduar katekizmin me fjalët e Shën Françeskut, shkëputur nga Kënga Krijesave:
“O fort i larti, i gjithëpushtetshmi, Zot i mirë; tuajat janë lavdet, lumnia e nderi e çdo bekim…Lavdëruar qofsh, o Zoti im, me të gjitha krijesat e tua!”.
Në përshëndetjet përfundimtare Papa kujtoi solemnitetin e sotëm të Zojës së Çestokovës si dhe festën e shenjtorëve Monika e Agostini, nënë e bir, të bashkuar në tokë me lidhje familjare e në qiell me të njëjtin fat lumnie, që do të përkujtohen këto ditë nga Kisha katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.