2009-08-26 20:00:21

Ngushëllimi i Papës për humbjen tragjike të njerëzve të Suem 118, rrëzuar të shtunën e kaluar mbi Malin e Kristalit


(26.08.2009 RV)“Lutje e ngushëllime për ata që vdiqën tragjikisht” – kështu shkruan Papa në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, drejtuar ipeshkvit të Belunos, imzot Gjuzepe Andrih, i cili dje kryesoi, në katedralen e qytetit, Meshën e dritës së katër burrave, që humbën jetën në bord të një helikopteri të shërbimit të urgjencave dhe emergjencave mjekësore (Suem). Helikopteri u rrëzua të shtunën e kaluar në shpatet e Malit të Kristalit.
Në telegramin e ngushëllimit, që u lexua gjatë Meshës së dritës, Papa kujtonte me mirënjohje shërbimin që i bëri Suem 118 gjatë pushimeve të tij në Lorencago të Kadores në verën e vitit 2007.
Kujtojmë se mjeku Fabricio Spaciani; piloti Dario De Felip; ndihmës–piloti, anëtar i Mbrojtjes malore, Marko Zago dhe tekniku i ndihmës malore, Stefano Da Forno, po fluturonin në kohë shumë të keqe mbi Kortina d’ Ampeco kur, për shkaqe që nuk janë ende të qarta, helikopteri u përplas papritmas për tokë, duke shkaktuar vdekjen e ekuipazhit.







All the contents on this site are copyrighted ©.