2009-08-26 12:51:00

Me 26 gusht kalendari Kishtar përkujton shën Zefirini, papë e martir


(26.08.2009 RV)I lindur në Romë, në fillim u njoh me emrin Zeferino. Papnia e tij nisi në vitin 199, nën terrorin e Septim Severit, i cili praktikonte politeizmin e, sidomos, kultin e ‘hyjit diell’. Shkëndija për fillimin e persekutimit të të krishterëve qe mospjesëmarrja e tyre e plotë në festimet organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të sundimit të perandorit, sepse krejtësisht pagane. Kohë martirizimi pra, ajo në të cilën Zefirini i priu Kishës. E në këtë kohë iu desh të përballojë edhe herezinë modaleiste, që kishte koncepte të gabuara për lidhjet ndërmjet Atit e Birit, si dhe skizmën e parë të krishterë, atë të Hipolitit antipapë.
Shën Hipoliti, teolog e shkrimtar me kulturë greke, u bë zëdhënës i teologjisë së logos. Qe kundërshtar i Zefirinit e i Shën Kalistit, që do të bëhej papë, ndonëse më pas hoqi dorë nga skizma dhe i mbaroi ditët si shenjt, duke derdhur gjakun për Krishtin në Sardenjë.
Pavarësisht nga këto pengesa e vështirësi, Zefirini ia doli mbanesh ta riorganizonte hierarkinë kishtare, duke emëruar, për herë të parë, vikarin e tij, Kalistin, me detyra më shumë praktike, sesa teologjike. Organizoi varrezat e krishtera, që u zhvendosën nga rruga romake Salaria, në rrugën Apia, ku ndodheshin prej kohe varrezat e Pretestatit e të Domitilës.
Një nga këto varreza u quajt ‘kripta e papëve’ ku Zefirini, që i priu Kishës për 20 vjet me radhë, u varros i pari, në një ditë të ftohtë të vitit 217.







All the contents on this site are copyrighted ©.