2009-08-25 15:07:05

Çelësi i fjalëve të Kishës: kuptimi dhe rëndësia e fjalës “histori”


(25.08.2009 RV)Në pranverë fillojnë të dalin frutat e para pas dimrit. Besimtari hebre i mbledh në një shportë dhe i çon në shenjtërore për t’ia ofruar Hyjit. Pasi mbërrin para Zotit thotë këto fjalë: “Im atë ishte një sirian endacak. Ai zbriti në Egjipt me pak njerëz dhe atje jetoi në dhe të huaj. U shtua e u bë popull i madh, i fortë e një shumicë pa masë. Por egjiptianët na morën me të keq, na përndoqën dhe na bënë skllevër të mjerë… Zoti e pa përvujtërimin tonë, mundin e të vështirat tona dhe na nxorri prej Egjiptit me dorën e vet të fuqishme… na pruri në këtë vend e na e dha trashëgim këtë tokë, që rrjedh qumësht e mjaltë” (Lp 26,5-9).
Në këto fjalë përvijohen disa nga aktet më të rëndësishme të historisë së Izraelit biblik: ngjarjet e patriarkëve endacakë, çlirimi eksodik, dhurimi i tokës. Akte, të cilave do t’u thuren lavde edhe më vonë, si për shembull në fjalët e Jozuehut në pragun e tokës së premtuar, ose në lavdin solemn të Psalmit 136 (135). Që feja e Biblës është me natyrë historike duket sapo të shfletosh faqet e saj: përballesh me luftra, lojra pushteti, tensione të brendshme, mundimet e të vuajturve, dëshmi padrejtësish shoqërore e kështu me radhë; praktikisht, me të gjithë dramën e përditshme të ekzistencës njerëzore. Këtej del se zbulimi i Hyjit nuk bëhet përmes ndonjë përvoje mistike apo miti, që na bën të fluturojmë nga realiteti drejt horizontit qiellor. Fjala dhe veprimi i Zotit ndërthuren me ngjarjet njerëzore, në të cilat takohen Hyji e njeriu, e madje, nganjëherë edhe ndeshen, pikërisht në kohë, përmasa më tipike e krijesës njerëzore.
Historia e shëlbimit është pra ndërhyrja e Zotit në ngjarje, që karakterizohen pa dyshim nga veprimi e fjala hyjnore, por edhe nga dashuria e mëkati i njerëzimit, vepra e fjala e tij. Jo më kot, ekzistojnë libra si ai i Psalmeve, në të cilin përmblidhen lutjet e njeriut, apo si ai i Kishtarit, që është historia e një krize personale. Funksioni i profetit, apo i dijetarit biblik nuk është që t’i bëjë njerëzit të ëndërrojnë një të ardhme të mrekullueshme, por të deshifrojë si vepron Zoti në histori e ku duket ndërhyrja e tij. Shkrimet e tyre janë të mbushura me ngjarje njerëzore, ku Zoti ndërhyn me fuqinë e tij gjykuese dhe shëlbuese. Pikërisht për hir të pranisë së Hyjit, historia është “e shenjtë”, e jo thjesht një listë të dhënash apo datash, por ka një kuptim e një qëllim, që plotësohet më së miri në figurën e Krishtit. Ai është kulmi i takimit ndërmjet Zotit e njeriut, sepse në të ndërthuren në mënyrë të përsosur Fjala hyjnore dhe njeriu me historinë e tij në kohë e hapësirë.
Jo më kot, jeta e Jezu Krishtit përfshin edhe vdekjen, që është cilësi e njeriut, është letërnjoftimi i tij në histori. Por përfshin edhe ringjalljen, që është jeta e pasosur dhe hyjnore. Prandaj, njerëzimi vazhdon ta jetojë historinë e vet, por ajo rrezatohet me amshim, pafundësi, dritë e shpëtim, që të shëlbohet e të shndërrohet.
Mishërimi i Krishtit është atëherë, shenja e gjallë dhe e përsosur e historisë së shëlbimit, që bashkon Zotin me njeriun, siç ishte thënë që në Besëlidhjen e Vjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.