2009-08-25 15:06:12

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Më parë jap jetën, sesa fenë”.


(25.08.2009 RV)Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e njëzetenjëtë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja shqiptare na kujton se besimi i saj në Krishtin është më i fortë se gjithçka tjetër, se pa Krishtin nuk do të kishte arritur kurrë të bënte atë që bëri. Në këtë emision, në prag të 99 vjetorit të ditëlindjes së Themelueses së Motrave të Bamirësisë, kujtojmë shprehjen e saj, sot e famshme në mbarë botën: “S’jam tjetër, veçse një laps i vogël në dorën e Zotit”.
Poeti i famshëm hungarez, Shandor Petëfi, pati thënë: “Për dashurinë jap jetën, për lirinë, jap dashurinë”.
Po Nëna jonë Terezë e shenjtëroi këtë thënie, duke shpalosur para gjithë botës se i fal jetë e liri njerëzore, për dashurinë më të madhe, dashurinë e Zotit, që shëron vullnetin e mendjen tonë të sëmurë, duke i lartuar në shkallën më të lartë të bashkimit me Të, domethënë në shenjtëri e në bashkim mistik.
A jemi edhe ne lapsa në dorën e të Lumit? Deri në ç’masë jemi ngrënë, për t’i lënë botës si kujtim përvojën e fesë sonë të krishterë? Veprën tonë të dashurisë për Krishtin? A kemi arritur të shkruajmë diçka, që mbetet në Librin e madh, ku Zoti nuk harron të shënojë ditë për ditë, të gjitha veprat e mëdha njerëzore, edhe ato që bota nuk ka sy për t’i lexuar?
Të dëgjojmë përgjigjen e Nënë Terezës:

“Jeta ime nuk do të kishte kurrfarë kuptimi, pa dashurinë e Zotit.
Ai që dua, është Krishti me pamjen e tij të dhimbshme. Atij i shërbej.
Jezusi ka thënë: “Pata uri, më dhatë të ha; pata etje, më dhatë të pi; isha i zhveshur, më veshët; i pastrehë, më përbujtët”.
S’ka forcë në botë, që mund të më bëjë të heq dorë nga feja ime!
Askush nuk mund të pengojë ta praktikoj.
Nuk mund të ma rrëmbejë askush.
Feja është rrënjosur tepër thellë në shpirtin tim.
Në se për mua nuk do të kishte rrugë tjetër, përveç persekutimit, e në se kjo do të ishte e vetmja rrugë, nëpër të cilën Jezusi dëshiron të vijë ndërmjet të vetëve, duke rrezatuar dashurinë e tij për njerëzit, unë do të vijoja t’i shërbeja me gjithë zemër, pa hequr kurrë dorë nga feja ime.
Feja është e vetmja rrugë, në të cilën ec e sigurtë, me bindje se është Dikush tjetër që më prin. Ndonëse e di mirë sa e papërsosur jam, sa e ligshtë.
E vetme, nuk vlej gjë prej gjëje.
Ai është gjithçka.
E vetme nuk jam në gjendje të bëj asgjë.
Jezusi bën gjithçka.
S’jam tjetër, veçse një laps i vogël në dorën e Zotit.
Një laps i brishtë, me të cilin ai shkruan ç’të dëshirojë.
Zoti shkruan me anën tonë.Ndonëse jemi fare të papërsosur si mjete, Ai shkruan me ne, atë që dëshiron”.







All the contents on this site are copyrighted ©.