2009-08-25 19:27:25

Në fillim të shtatorit fillon mandati i Kuvendit të ri të Shqipërisë


(25.8.2009 RV)Në ditët e para të shtatorit pritet hapja zyrtare e punimeve të legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të ri të Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Më 2 shtator përfundon mandati i deputetëve të parlamentit aktual për t'ia lënë vendin trupës së re parlamentare prej 140 anëtarësh të zgjedhur nga votat e 28 qershorit.
Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit të Shqipë risë fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, (2 shtator), por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati.
Rregullorja parlamentare përcakton procedurat që ndiqen në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat.
Më pas ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit.
Ky Komision pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.
Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.
Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit.
Kandidati për Kryetar të Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat.
Në Kuvendin e ri për katër vitet e ardhshme priten ndryshime edhe në numrin e grupeve parlamentare. Kështu nga 10 grupe kuvendore që funksionuan gjatë mandatit 2005-2009 në legjislaturën e re pritet të jenë vetëm tre të tilla, përkatësisht grupi i Partisë Demokratike, grupi i Partisë Socialiste dhe grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo e fundit në zgjedhjet e fundit mundi të sigurojë 4 deputetë, të cilëve do t'i bashkëngjiten dhe 3 deputetë të tjerë për të krijuar grupin prej 7 deputetësh që kërkon rregullorja parlamentare.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit u shpall fitues koalicioni i djathtë "Aleanca e ndryshimit", i cili mundi të sigurojë 70 deputetë, i ndjekur nga koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" me 66 deputetë dhe koalicioni "Lëvizja Socialiste për Integrim' me 4 deputetë.
PD dhe LSI kanë rënë dakord për të bashkuar votat në Kuvend dhe për të bashkëqeverisur vendin në katër vitet në vazhdim.







All the contents on this site are copyrighted ©.