Ndeshje mes serbëve e shqiptarëve në Mitrovicë, po situata është nën kontroll
(25.8.2009 RV)Ndeshje në Mitrovicë, pesë shqiptarë dhe dy serbë janë lënduar
në një incident që ka ndodhur sot, në lagjen Kroi i Vitakut. Incidenti është shkaktuar
nga serbët, të cilët i gjuajtën me gurë shqiptarët, për të penguar rifillimin e punës
në rindërtimin e shtëpive të tyre. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës,
Sami Mehmeti, bëri të ditur se afër vendit ku duhet të rifillonin punimet ishin grumbulluar
rreth 100 serbë, të cilët filluan të gjuanin me gurë shqiptarët. Njësia speciale e
EULEX-it ndërhyri, duke përdorur edhe gaz lotsjellës, për parandalimin e shkallëzimit
të situatës dhe për shpërndarjen e turmës. Njësitë speciale të EULEX-it e kanë vënë
situatën nën kontroll e situata aktuale në lagjen Kroi i Vitakut është e qetë.