2009-08-25 18:44:47

Benedikti XVI pjesëmarrësve në Javën e 60-të liturgjike Italiane: Liturgjia i dëshmon botës vlerën e Mëshirës Hyjnore.


(25.8.2009 RV)Liturgjia mund të ndikon “një guxim të ri e qëndresë të re” tek “punëtorët e vreshtit të Zotit”. Për këtë lypet favorizuar një “përtëritje e rimarrje të kremtimit në përdëllimin kuptimplotë të faljes së Zotit”. Këtë u porosit Papa pjesëmarrësve të Javës liturgjike italiane që u hap dje në qytetin Barleta në jug të Italisë. Sot më shumë se kurrë ka nevojë “për ta përjetuar dhe kremtuar Sakramentin e Pendesës me pjekuri”, shkruan më tej në emër të Benediktit XVI kardinali Tarçizio Bertone në mesazhin dërguar pjesëmarrësve në javën e 60-të liturgjike kombëtare. Qe pikërisht Mesazhi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Hirësisë së tij kard. Bertone ai që hapi dje edhe punimet e kësaj mbledhjeje që organizohet çdo vit nga Qendra e Veprimit Liturgjik e Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Ndër tjera Papa uron që Java Liturgjike “të ndihmojë për përtëritjen e kremtimit të Mëshirës Hyjnore dhe të përvojës domethënëse të Pajtimit”- siç quhet ndryshe Sakramenti i Rrëfimit.
Benedikti XVI, - vë në dukje Hirësia e tij Kard. Bertone - nënvizon se është e nevojshme më shumë se kurrë që këtë vit të përqendrohemi tek tema “Të Kremtojmë Mëshirën Hyjnore. Pranojeni Pajtimin që vjen nga Zoti”. Ati i Shenjtë shprehet kështu edhe për një arsye tjetër, sepse sot, kur kanë kaluar 35 vjet nga hyrja në fuqi në Kishën Italiane e Ritit të Ri të Pendesës “do të ishte me interes të vërenim nëse përveç ndryshimit nga pikëpamja rituale është formuar edhe një mentalitet i ri teologjik, shpirtëror e baritor”.
Në veçanti, thuhet në mesazhin e Papës Racinger që mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Bertone “një nga përparësitë baritore të kohës sonë është formimi i ndërgjegjes së besimtarëve, sepse për fat të keq, në atë masë sa e humbasim vetëdijen për mëkatin, po në atë masë rritet vrarja e ndërgjegjes të cilën do të donim ta asgjësonim me anë të disa barnave qetësuese të përkohshme e të pamjaftueshme”.


Prandaj Benedikti XVI i fton të gjithë meshtarët ta shoqërojnë me uratë Sakramentin e Pajtimit, qoftë edhe nëpërmjet “një katekizmi paraprak dhe të një katekizmi mistagogjik për ta kuptuar më thellë këtë Sakrament”. “Ka nevojë për mësues të urtë e të shenjtë të shpirtit” – përfundon mesazhin e vet Benedikti XVI duke sjellë si shembull famullitarin Shën Gjon Maria Vianej të cilit i është kushtuar edhe Viti meshtarak.
Pikërisht mbi këto tema, pra, do të flasin deri të premten kumtuesit e specialistët e ndryshëm të ftuar në këtë ngjarje me rëndësi për Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.