2009-08-24 18:03:10

Virusi A(H1N1), 20 raste të konfirmuara në Shqipëri


(24.8.2009 RV)Numri i përgjithshëm i rasteve të prekura nga virusi i gripit A (H1N1) në Shqipëri është 20, bëhet e ditur nga buletini nr. 9 i Institutit të Shëndetit Publik, i publikuar sot. Ndërkohë, sipas ISHP-së, priten përgjigjet e analizave edhe për 2 raste të dyshuara, të moshës 5-14 vjeç, të cilat janë dërguar në Laboratorin e Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht (Rumani).
ISHP ka analizuar deri në datën 23 gusht 459 monstra të marra në të gjithë vendin. Numri më i madh i monstrave është marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 230 të tilla, 60 monstra janë marrë në Spitalin Pediatrik në QSUT, 38 nga Poliklinikat në Tiranë, etj.
Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç. Ndërkohë, vihet re një numër më i vogël monstrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme, duke patur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grup moshe.
Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në Shqipëri, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara.

- Historia e 20 rasteve -
Për 20 rastet e konfirmuara, sipas buletinit të ISHP-së, rezulton se janë të grup moshave 15-24 vjeç, 10 të tjerë 25-44 vjeç dhe vetëm 2 raste janë të grupmoshës 45-59 vjeç. Nga të dhënat e buletinit nr. 9, vihet re se shumica e rasteve i përkasin moshave aktive.
Për rastet e konfirmuara, 3 prej tyre janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi ynë. Gjashtë raste janë të lidhura me udhëtimin jashtë vendit, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të dhënat tregojnë se për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit.
Sipas buletinit nr. 9 të ISHP-së, rastet janë kryesisht në Tiranë, 4 raste në Durrës (prej të cilëve tre marinarë të huaj) dhe 1 rast në Saranda. Ndërsa, rasti i parë që rezultoi i prekur me virusin e gripit A (H1N1), ishte një student 20 vjeçar nga Gjirokastra.
ISHP sqaron se raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A (H1N1) në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, Rumani. Raste të mundshme janë të gjitha rastet, që kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së,Tiranë. Ndërsa, raste të dyshimta janë të gjitha rastet, që plotësojnë përkufizimin e rastit.(Nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.