Papa në Engjëllin e Tënzot: edhe sot shumë njerëz shkandullohen nga feja e krishterë,
sepse kërkon të bësh gjithë jetën vullnetin e Krishtit.
(24.08.2009 RV)Edhe sot e kësaj
dite feja e krishterë shkandullon e ka nga ata, që përpiqen t’ia përshtasin kohës
e edhe nga ata, që e braktisin. Vetëm duke e lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit,
mund të gjejmë lumturinë e vërtetë. Këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të
Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo. T’i lutemi Virgjërës Mari – shtoi Benedikti XVI
– ta mbajë gjithnjë gjallë në shpirtin tonë këtë fe plot dashuri, që e bëri Atë, Vashën
e përvujtë të Nazaretit, Nënë të Zotit e model për të gjithë besimtarët. U
prit me një një stuhi duartrokitjesh nga të pranishmit, shakaja e Papës për pasojat
e aksidentit në kyçin e dorës së djathtë, sapo të liruar nga allçia: “Të
dashur vëllezër e motra, po e shikoni se dora është liruar nga allçia, por është akoma
paksa përtace. Duhet të vijoj edhe për ca kohë shkollën e durimit, po le të vijojmë!”. Benedikti
XVI kujtoi, më pas, se në Ungjillin e djeshëm Jezusi u kërkoi dishepujve t’i kushtohen
plotësisht planit të Tij të shëlbimit. Por shumë prej tyre, pasi e ndoqën për një
copë udhë, u kthyen prapa. Edhe në botën e sotme – vërejti Papa – jo pak njerëz shkandullohen
nga paradoksi i fesë së krishterë: “Mësimi i Jezusit duket i rëndë,
i vështirë për t’u pranuar e aq më tepër, për t’u vënë në jetë. Disa, atëherë, e
mohojnë dhe e braktisin Krishtin; të tjerë kërkojnë t’ia përshtasin fjalën e Tij
modave të kohës, duke ia shtrembëruar kuptimin e vlerën”. Më pas Papa u
drejtoi besimtarëve të njëjtën pyetje, që Jezusi ua pati bërë apostujve: “A
doni të shkoni edhe ju? Ky ngacmim shqetësues jehon përsëri ndër zemra e kërkon nga
secili prej nesh përgjigje personale. E Jezusi nuk kënaqet me qëndrime të cekta e
formale, nuk i mjaftojnë disa hapa entuziaste pas tij; përkundrazi, duhet të mendosh
si Ai e të bësh vullnetin e Tij për gjithë jetën”. Ecja në gjurmët e Krishtit,
pra, duhet të vijojë gjithë jetën: “Ndjekja e Zotit – shpjegoi Ati i Shenjtë – ta
mbush zemrën me gëzim e i jep kuptimin më të plotë jetës sonë, pa harruar se nuk është
aspak e lehtë, se kërkon të heqim dorë nga shumë sende e se tepër shpesh duhet të
shkojmë kundër rrymës. “Doni të shkoni edhe ju? – Pjetri përgjigjet, në emër të apostujve,
duke shprehur besimin e tij të plotë në fjalët e Zotit, fjalë të jetës së amshuar!”. “Të
dashur vëllezër e motra, edhe ne mund ta përsërisim përgjigjen e Pjetrit, të vetëdijshëm,
natyrisht, për brishtësinë tonë njerëzore, por plot besim në forcën e Shpirtit Shenjt,
që na flet e na duket në bashkim me Jezusin”. Feja – shtoi Papa – është
dhuratë që i bën Hyji njeriut e, njëkohësisht, lëshim i lirë e i plotë në dorë të
Zotit; feja është dëgjim i bindur i fjalës së Zotit, i cili është llambë për hapat
tonë e dritë mbi rrugën tonë: "Në se ia hapim plot besim zemrën Krishtit,
në se e lëmë të na pushtojë, mund të provojmë edhe ne, së bashku me Famullitarin Shenjt
të Arsit, se e vetmja lumturi mbi këtë tokë është ta duash Zotin e ta dish se edhe
Ai të do”. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje, në Rimini
të Italisë, hapej Mitingu XXX i miqësisë ndërmjet popujve, sivjet me temë: “Njohja
është gjithnjë ngjarje”: “Duke i drejtuar një përshëndetje të përzemërt të
gjithë atyre, që marrin pjesë në këtë takim domethënës, uroj të jetë rast i përshtatshëm
për të kuptuar se njohja nuk është thjeshtë veprim material, sepse… në çdo njohje
e në çdo akt dashurie, zemra e njeriut provon diçka, që i ngjet marrjes së një dhurate,
e cila e larton shpirtërisht”. Së fundi Papa i përshëndeti të gjithë besimtarët
e pranishëm në Kastel Gandolfo për lutjen e Engjëllit të Tënzot:“Të gjithëve
ju uroj të dielë të gëzuar e javë të gëzuar! Ju falënderoj për praninë tuaj!”.