Thirrje e ipeshkvijve argjentinas për të përballuar problemin dramatik të varfërisë
në vend.
(23.08.2009 RV)20 ipeshkvijtë argjentinas, që marrin pjesë në mbledhjen e Komitetit
të Kryesisë së Konferencës ipeshkvnore, e cila përfundoi me botimin e një dokumenti,
dëgjuan raportin e imzot Horhe Kazareto, ipeshkëv i San Isidorit e kryetar i Komisionit
ipeshkvnor për baritorinë shoqërore, kushtuar pikërisht shuplakës së varfërisë në
vend. Atë Horhe Oesterheld, zëdhënës i episkopatit, shpjegon se imzot Kazareto i njohu
ipeshkvijtë me statistikat e Universitetit katolik të Buenos Ajres. Sipas tyre, 40%
e popullsisë së vendit jeton në kushte mjerimi. Ndërsa shifra e dhënë nga Instituti
kombëtar i statistikës kufizohet tek 15.6%. Zëdhënësi i episkopatit shpjegon se Kisha
nuk e ka ndër mend të polemizojë për shifrat: për të nuk kanë rëndësi numrat, por
problemi. - Qeveria ka bërë shumë e vijon të punojë, po kjo nuk është e mjaftueshme
- saktëson Atë Oesterheld - i cili u bën thirrje të gjithë politikanëve të vendit
t’i kushtojnë çështjes shoqërore vëmendjen që meriton. “Për këtë nuk ka përgjegjësi
vetëm qeveria – theksoi – përgjegjësia është e të gjithëve”.