2009-08-23 12:23:59

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Njerëzimi dëshiron të shohë”.


(23.08.2009 RV)Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e nëntëmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, nxitemi për një reflektim tejet të rëndësishëm: atë të epërsisë që ka vepra e kryer, mbi fjalën e thënë e të pajetuar. “Njerëzimi dëshiron të shohë” titullohet rrëfimi i sotëm, do të shikojë vepra, jo të dëgjojë fjalë boshe. Është ngopur edhe tepër me fjalë, me premtime, e është neveritur edhe më shumë duke parë si vihet në jetë çdo ditë shprehja e njohur: “Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”! Ndërsa Krishti na fton: “Bëni ashtu si bëj unë!”.
Por, ja si përgjigjet Nënë Tereza:

“E ndjej veten plotësisht të padenjë për të marrë çmime.
Megjithatë, i pranoj për lumni të Zotit, në emër e si përfaqësuese e të varfërve: e atyre, që nuk i do, që nuk i dëshiron askush, atyre që shtypen, që shkelen pa mëshirë nën thembër.
I pranoj në emër të gjithë këtyre vëllezërve e motrave, që harrohen, që nuk e dinë ç’do të thotë dashuri njerëzore.
I pranoj në emër të gjithë këtyre njerëzve, të mohuar nga njerëzimi. E, në emër të tyre edhe m’i japin.
Disa javë më parë, një grup nxënësish të kolegjeve hinduiste erdhi të na bënte një vizitë nga një vend shumë i largët.
Kishin marrë pjesë në disa gara sportive e i kërkuan drejtorit që në vend të kupave, t’u jepeshin para.
Pastaj i thanë:
“Tani na lejoni të shkojmë tek Nënë Tereza. Duam t’ia japim asaj paratë për njerëzit që ka nën kujdes”.
Ishte një gjë shumë e bukur: ia hoqën paratë vetes, për t’ua dhuruar të varfërve. Ka shumë njerëz rreth nesh e në mbarë botën, që dëshirojnë t’i ndihmojnë të varfërit.
Sa herë marr para ose çmime, e bëj këtë në emër të të varfërve, që pranohen përmes meje.
E kush jam unë?
Kurrkushi!
Në mua shikojnë të varfërit, atyre ua japin dhuratat, duke parë atë që bëjmë.
Njerëzit sot duan të shikojnë fakte, jo të dëgjojnë fjalë boshe!
Pse u përhap Kongregata jonë në mbarë botën?
Pse njerëzit e shikojnë me sytë e tyre atë që bëjmë. Shikojnë se i japim të hajë Krishtit, që ka uri, se e veshim Krishtin e zhveshur, se e mjekojmë në trupat e shkatërruar të të sëmurëve, të gërbulurve, të njerëzve që japin shpirt.
E duke parë jo gunën, por punën, besojnë.
Sa gjë e trishtuar do të ishte në se do të shërbenim vetëm me fjalë, e jo me vepra!".







All the contents on this site are copyrighted ©.