2009-08-23 12:14:26

Përfunduan kremtimet për njëmijëvjetorin e themelimit të dioqezës së Peç.


(23.08.2009 RV)Me një liturgji solemne eukaristike përfunduan sot në Hungari kremtimet për njëmijëvjetorin e themelimit të dioqezës së Peç, që filluan më 18 gushtin e kaluar. Riti u kremtua në Sheshin e qytetit, kushtuar Shën Shtjefnit. E kryesoi kardinali Kristof Shënborn, kryeipeshkëv i Vjenës, i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë.
“Një rast i përshtatshëm, që u krijon besimtarëve mundësinë të përtërijnë fenë e dashurinë për Kishën e për Ungjillin”: kështu i shkroi Papa kardinalit Kristof Shënborn, duke e caktuar me këtë mision.
Dioqeza hungareze, që njihet edhe me emrin ‘e pesë Kishave’, u themelua në vitin e largët 1009, gjatë papnisë së Sergjit IV, nën sundimin e mbretit Shtjefni I (969-1038). Ceremonia e themelimit u kremtua në kështjellën Gjërè më 23 gusht 1009, në praninë e ipeshkvit Azo të Osties, që asokohe ishte delegat papnor. Me këtë rast u përcaktuan kufijtë e dioqezës dhe u emërua ipeshkvi i parë, imzot Boniperti. Në vitin 1367 ipeshkvi i Pécs, Vilmos, mori nga Papa Urbani VI lejën të themelonte të parin universitet hungarez.
Nga viti 1543 deri më 1686, qyteti u pushtua nga otomanët e iu nënshtrua një procesi të thellë islamizimi. Por, duke nisur nga vitit 1686, banorët e këtyre trojeve u rikthyen të gjithë në fenë e të parëve, përmes veprimtarisë ungjillëzuese të të krishterëve, që erdhën këtu nga zona të ndryshme të Evropës qendrore. Nga gjysma e shekullit XIX u rindërtua katedralja e Shën Pjetrit, një nga kishat neoromanike më të bukura të Evropës veriore.
Kremtimi i këtij mijëvjeçari merr një rëndësi të madhe për Peç, edhe pse më 2010 do të ketë titullin ‘Kryeqytet Evropian i Kulturës”.
Ngjarje kjo, që dëshmon qartë sa thellë shtrihen rrënjët e Ungjillit në historinë e mbarë Evropës. E kjo na nxit t’u rikthehemi disa prej meditimeve të Papës për rrënjët e krishtera të Kontinentit të Vjetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.