2009-08-23 13:25:39

Papa: feja e krishterë ende sot skandalizon, tërë jetën duhet të jetojmë sipas vullnetit të Krishtit


(23.8.2009 RV)Edhe sot si në kohët e Jezusit “ jo pak persona mbesin të ‘skandalizuar’ para paradoksit të fesë së krishterë”, sepse mësimi i Krishtit “duket ‘tejet i ashpër’ dhe i vështirë për t’u pranuar”, sepse Ai “nuk mjaftohet e nuk kënaqet me pranimin e pjesshëm, me përkatësinë sipërfaqësore, të jashtme e formale”, e të shkosh pas Tij “sjell vështirësi e mohime” për të cilat “shpesh herë duhet shkuar kundër rrymës” së mendësisë dhe modës së kohës. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI para lutjes së Engjëllit të Tënzot në oborrin e Pallatit Apostolik në Kastelgandolfo.
Duke përshkuar pjesën e Ungjillit të liturgjisë së kësaj së diele nga Shën Gjoni ungjilltar, Papa pohoi se “pyetja provokuese” e fesë që asokohe Jezusi u drejtoi nxënësve të tij, “mbërrin deri tek besimtarët dhe njerëzit e çdo epoke”. “Edhe sot - shtoi Ati i Shenjtë Jozef Racinger - jo pak njerëz mbesin të ‘skandalizuar’ para paradoksit të fesë së krishterë. Mësimet e Jezusit duken teje të ‘ashpra’e të vështira për t’u pranuar e për t’u zbatuar në jetën e përditshme. Atëherë ka njerëz - vijoi Papa - që e refuzojnë dhe braktisin Krishtin, sepse të ecësh udhës së tij e t’i përmbahesh mësimeve të tij nuk është punë e lehtë dhe pa vështirësi: madje ka edhe njerëz të tillë që provojnë ta përshtatin fjalën e Zotit me modat e kohëve duke e shtrembëruar e çnatyruar kuptimin dhe vlerën e vërtetë të saj”.
“Vërtetë të ndjekësh Krishtin - nënvizoi Benedikti XVI - të mbushet zemra me gëzim dhe gjen kuptimin e ekzistencës personale, por sjell edhe vështirësi e mohime sepse shpesh herë duhet shkuar kundërrymës” e kundër mendësisë së botës. Për këtë pyetjes së Jezusit “ A doni të shkoni ndoshta edhe ju?”, apostujt iu përgjigjen: “Zotëri, e tek kush të shkojmë? Ti i ke fjalët e jetës së amshuar e ne kemi besuar e njohur se Ti je Shenjti i Hyjit”. “Të dashur vëllezër e motra - përfundoi Papa duke iu drejtuar 4 mijë besimtarëve të pranishëm në lutje të Engjëllit të Tënzot - edhe ne mund ta përsërisim përgjigjen e Pjetrit, sigurisht të vetëdijshëm për brishtësinë tonë njerëzore, por plot besim në fuqinë e Shpirtit Shenjt, që shprehet e shfaqet në bashkim me Jezusin. Nëse ia hapim zemrën me besim Krishtit, nëse lejojmë të pushtohemi nga Ai, do ta përjetojmë edhe ne, së bashku me Shën Gjonin Maria Vianej, se lumturia e vetme mbi këtë tokë është ta duash Zotin e të dish se Ai na do”, duke ndjekur shembullin e “vajzës së përvujtë të Nazaretit, Nënës së Hyjit e nënës dhe modelit të të gjithë besimtarëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.