2009-08-23 12:14:03

Papa Benedikti XVI shtegtar:nga Viterbo e Banjorexhio në Çeki.


(23.08.2009 RV)Do të jetë një shtegtim në gjurmët e Shën Bonaventurës, vizita që Papa do të bëjë më 6 shtatorin e ardhshëm në Viterbo e në Banjorexhio. Sipas programit, do të kryesojë Meshën në Vale Faul të Viterbos, do të bëjë një ndalesë të shkurtër para Shenjtërores së Shën Rozës, Pajtore e Qytetit, do të vizitojë Shenjtëroren e Zojës së Lisit e Banjorexhion, vendlindje e Shën Bonaventurës, reliken e të cilit do ta nderojë në katedralen e Shën Nikollit, për t’u takuar, në përfundim, me popullsinë vendase në Sheshin e Shën Agostinit. Ndërkaq Brno përgatitet për vizitën e Benediktit XVI në Republikën Çeke.
Meshtarë, mësues e autoritete të ndryshme të Republikës Çeke do të reflektojnë për Enciklikën e Benediktit XVI ‘Caritas in Veritate’ gjatë një konference, që do të mbahet në Brno, më 19 shtator, një javë para vizitës së Benediktit XVI. Njoftimin e dha të martën e kaluar David Maçek, anëtar i partisë kristiano-demokratike. Konferenca ka për qëllim t’i përgatisë besimtarët me rastin e vizitës së Papës. Shtegtimi në Republikën Çeke – shton David Maçek – do të jetë i pari jashtë Italisë, pas botimit të Enciklikës e, njëkohësisht, edhe një rast i përshtatshëm për të reflektuar mbi problemet aktuale të ekonomisë e për çështjet më të mprehta shoqërore.
Kujtojmë se Papa do të ndalohet për tri ditë, nga data 26 deri më 28 shtatorin e ardhshëm, në Pragë e vende të tjera të Republikës Çeke, për një vizitë tejet të ngarkuar me veprimtari e takime nga më të ndryshmet. Një orë pas arritjes në Pragë, e pikërisht në orën 12. 30 të 26 shtatorit të ardhshëm, do të jetë në Kishën e kryeqytetit, kushtuar Krishtit Fëmijë, për t’u dhënë çekëve përshëndetjen e parë. Do të ketë më pas shumë takime. Për t’u kujtuar, Mesha Shenjte dhe lutja e Engjëllit të Tënzot, më 27 shtator, në Brno, kryeqendër e Moravisë, takimi i mëpasëm ekumenik në Pragë dhe biseda me përfaqësuesit e botës akademike çeke. Ditën e fundit të qëndrimit në Republikën Çeke, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në festën e Shën Vençeslaut, në Sheshin e rrugës Melnik të qytetit të lashtë Starà Boleslav, tejet i lidhur me kultin e Shenjtit, historia e të cilit nis që nga shekulli IX.
Do të jetë i 13-ti shtegtim ndërkombëtar i Benediktit XVI, i cili do të ecë në gjurmët e Gjon Palit II, që e vizitoi tri herë Çekinë: më 1990, 1995 e 1997. Kanë kaluar 12 vjet që asokohe e tani Çekia përgatitet të presë Benediktin XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.