2009-08-23 12:32:34

Më 23 gusht, kalendari kishtar përkujton Shën Rozën nga Lima, virgjër


(23.8.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin e sotëm kishtar, përkujtojmë festën e Shën Rozës, virgjër, regulltare domenikane e udhërit të tretë nga Lima e Perůsë në Amerikën Latine.

Lindi në Limë, më 20 prill 1586, në një familje fisnike me prejardhje spanjolle, ishte e 10-ta prej 13-të fëmijëve. Emri i saj i pagëzimit ishte Izabela, e mbiquajtur Trëndafil për nga bukuria, është shenjtëresha e parë e kontinentit amerikan.
Shën Roza qe shembull i jetës pendestare dhe i lutjes së pareshtur në thjeshtësi të jetës laike. E regjistruar në Urdhrin e Tretë domenikan, Roza diti të mbante e të kultivonte gjithmonë një qetësi shpirtërore të jashtëzakonshme edhe ndër sprova të dhimbshme që e shoqëruan jetën e saj, duke imituar kështu Jezu Krishtin e varfër e të kryqëzuar.

Shën Roza nga Lima, kishte një devocion të posaçëm ndaj Zojës së Bekuar, Virgjërës Mari, ajo punojë dhe iu lutë Zotit për rritjen e Kishës në mënyrë të posaçme ndër Indianët e Amerikës. Në shtëpinë e prindërve, Roza përgatiti një lloj spitali e vend strehimi për të varfërit e nevojtarët, ku asistonte fëmijë e të moshuar të braktisur, sidomos ata me origjinë indiane. Prej vitit 1609 u mbyll në një qeli prej dy metrash katror, ndërtuar në kopshtin e shtëpisë së familjes, nga e cila dilte vetëm për kremtimet fetare, e ku kalonte pjesën më të madhe të ditës duke u lutur e në bashkim të ngushtë me Zotin. Pati vegime mistike. Në vitin 1614 u detyrua të transferohej në shtëpinë e Maria Ezategui, një gruaje fisnike, ku vdiq pas tri vitesh, e sfilitur prej sakrificave të mëdha. Ishte 24 gushti i vitit 1617, festa e shën Bartolomeut apostull.







All the contents on this site are copyrighted ©.