2009-08-23 13:53:14

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit kishtar “B”


(22.8.2009 RV)00:18:58:99Të nderuar miq e dëgjues, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e Fjalës së Zotit që dëgjojmë kësaj radhe i mbyll të dielat e verës, të cilat mund t’i quajmë “liturgji të bukës”, temë e pasionuar dhe qendrore e misterit të krishterë. Koncili i Dytë i Vatikanit ka pohuar se Eukaristia është “burimi e kulmi” i fesë. Ta pranosh, të besosh, të kremtosh, ta pranosh Eukaristinë do të thotë ta pranosh vet Krishtin, do të thotë të pranosh jetën e amshuar hyjnore.
Zoti është mister, është realitet që tejkalon e kapërcen inteligjencën tonë e çdo eksperimentim të prekshëm e të dukshëm. Po kështu është edhe Eukaristia, për të cilën nuk mund të argumentohet e as të diskutohet në mënyrë racionale. Mund të diskutohet mbi realitetet njerëzore e materiale, por jo mbi Zotin. Hyji ose pranohet ose refuzohet: nuk ka rrugë të ndërmjetme. Në këtë Jezusi është tejet ekzigjent, pra kërkon shumë prej nesh. Kërkon ta pranojmë nën shenjën apo trajtën e bukës, çka nuk ka qenë e nuk është punë e lehtë. Po kjo nuk është diçka e re: qysh në historinë e Izraelit dokumentohet radikaliteti i fesë në Zotin. Jozuehu e vënë popullin para përcaktimit përfundimtar: duhet të zgjedh. Ose hyjnitë e huaja ose Hyjin e të parëve të vet. E përgjigjja e popullit është e saktë: “ne duam t’i shërbejmë Zotit!”. Në këtë përgjigje gjendet refuzimi për çfarëdo kompromisi, për çfarëdo adaptimi me atmosferën e përgjithshme. Është përcaktim i fesë, i qartë, i saktë dhe i sinqertë.
Sikur thamë, të pranosh Krishtin në shenjën e bukës nuk ka qenë e as nuk është punë e lehtë. Jezusi, me fjalimin e vet, të cilin do ta dëgjojmë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni 6,60-69, jo vetëm bëri që njerëzit të nynykatnin për të, por ka larguar e ftohur edhe simpatinë e shumë simpatizuesve, ithtarëve e miqve e dishepujve tjerë. Vet apostujt kanë çaste pasigurie e dyshimi. “Ata që kam thënë nuk e tërheq. Nëse nuk e kuptoni, nëse nuk e besoni, mund të shkoni edhe ju. Mbetëm vetëm: nuk ka rëndësi. Atë që thash është e vërtet”. Zoti nuk është fryt i pjesës dërmuese apo i pakicës së opinioneve. Zoti është e vërteta absolute, edhe nëse refuzohet prej të gjithëve.
“A doni të shkoni ndoshta edhe ju?”. Është pyetja që Jezusi ua bënë apostujve dhe jehoj në zemër të dymbëdhjetëve si një goditje që shkund në thellësi, duke larguar çdo paqartësi e pasiguri.
“Zotëri, tek kush të shkojmë? Askush nuk është si Ti. Ti vetëm i ke fjalët e jetës së amshuar, që ndezin shpresa të reja, që hapin horizonte të shndritshme, që kapërcejnë tunelin e errësirës pa rrugëdalje. Të kemi njohur e besojmë në ty sepse je Shenjti i Hyjit”.
Kështu, pas fjalimit mbi bukën e jetës, shumë persona e braktisen Jezusin. Pjetri në emër të dymbëdhjetë apostujve i tha: “Zotëri, e tek kush të shkojmë? Ti vetëm i ke fjalët e jetës së amshuar e ne kemi besuar se Ti je Shenjti i Hyjit”.
Këtë të diele gjendemi në epilogun e bisedës mbi bukën e jetës që Jezusi mbajti në Kafarnaum, bisedë apo fjalim të cilin e kemi medituar për disa të diele më radhë. Para shprehjeve të ashpra e realiste që aludonin në misterin e papërfytyrueshëm të Eukaristisë, shuhet entuziazmi i shumë personave deri në largim e braktisje të tyre nga Jezusi, mirëpo në anën tjetër bëhet gjithnjë më e vendosur dhe e patundur feja, besimi i apostujve të tij.
Mesazhi i Fjalës së Zotit i kësaj së diele të 21 gjatë vitit, duket jashtëzakonisht i qëlluar për epokën tonë. Sot njeriu nuk don të dëgjojë të flitet për Zotin, e as që interesohet ndopak. Njeriu gjithnjë më tepër është duke u bërë indiferent në fushën fetare, shpirtërore e pretendon të organizojë jetën e vet sikur Zoti të mos ekzistonte fare. Ka vendosur të mos të mos zgjedhë ndërmjet Zotit e surrogateve tjerë. Megjithëkëtë lëviz, kërkon. Është e kotë të fshehët prapa hijes së një gishti, duke heq apo larguar problemin ose çështjen e marrëdhënies sonë me Zotin; është aty, e ne duhet ballafaqohemi, duhet të përcaktohemi pro apo kundër, nuk mund të mbesim indiferent para Zotit. Ky është kuptimi i pjesë së Ungjillit të kësaj së diele dhe i leximeve biblike në përgjithësi. Duhet të bëjmë zgjedhjen e jetës. Të përcaktohemi për perspektivën e jetës së re të cilën na tregon e propozon Krishti, apo të tërhiqemi e të largomi prej udhës së jetës së vërtetë. Shën Pali në leximin e dytë të kësaj së diele, na fton t’i bindemi e t’i nënshtrohemi më gëzim Krishtit Zot, prej të cilin e kemi jetën e amshuar. Të zgjedhësh për t’i shërbyer Zotit do të thotë t’i shërbesh jetës. Kjo është zgjedhja që bëri Jozuehu e Izraelitet, që përjetuan fitoren e çlirimit e faljen e tokës që u dhuroi Zoti. “Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!” – pohon në leximin e parë Jozuehu. Po kështu në pjesën e Ungjillit kemi shembullin e përcaktimin e të zgjedhjes që bënë Pjetri me Apostujt tjerë. Edhe ne jemi të thirrur t’i shërbejmë Zotit me sjellje, vepra e dashuri.
Ja leximet bilike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës:Joz 24,1-2.15-17.18; Ef 5,21-32; Gjn 6,60-69......


Te kush të shkojmë? Ti ke fjalët e jetës së amshuar

Leximi i parë Joz 24, 1-2.15-17.18

Lexim prej Librit të Jozuehut

Në ato ditë, Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe i grishi pleqtë, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nahorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!”
Populli u përgjigj: “Zoti mos e thashtë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha, dhe na ruajti në çdo udhë nga kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçerisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!”
 
Fjala e Zotit.


Psalmi 34

Zoti është afër atij që i shërben
----------
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
----------
Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
----------
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen
me zemër, i shpëton shpirtpërgrirët.
----------
Sado të vështira të ketë i drejti,
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre:
asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
----------
E keqja e vet do ta vrasë bëkeqin,
e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,
nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
----------

Leximi i dytë Ef 5, 21-32

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit! Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës, Ai Shëlbuesi i Trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka.
Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me lamje dhe me fjalë, që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë.
Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta, porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën për lidhjen e Krishtit me Kishën.
Fjala e Zotit.

Ungjilli Gjn 6, 60-69

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.”
Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhu ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.”
Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetët: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigji: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”
Fjala e Zotit.


P R E D I K I M I:

Vëllezër dhe motra!

Pas hyrjes së popullit izraelas në tokën e premtuar, populli ishte në tundim që të harrojë Hyjin e vërtetë, i cili e ka liruar nga Egjipti dhe t'u përshtatet kushteve të reja të jetës ndër popuj paganë. Për këtë arsye prijësi i tyre Jozua i sprovon dhe ua përkujton besëlidhjen me një të vetmin Zot - të cilit populli izraelas, pranë të gjitha devijimeve, mbeti besnik deri më sot.

Nxënësit e Krishtit, pasi kanë parë shumë mrekulli të Krishtit dhe pasi kanë dëgjuar shumë mësime të thella - ranë në tundim që të largohen prej Krishtit shi për shkak të atij mësimi, i cili për Krishtin ishte më me rëndësi. Dashuria e pashoqe e Krishtit e shtinte që ai t'u shërbejë besimtarëve të vet si ushqim dhe pije shpirtërore e kështu të bëhet një me ta.

Kur Krishti ua përmendi nxënësve këtë mendim, ata s'e kuptuan dhe i kundërshtuan.

Ligji i Moisiut ua ndalon izraelasve përdorimin e Gjakut. As gjakun e shtazëve nuk guxonin ta përdornin - sepse gjaku është bartësi i jetës, të cilën mund të na e japë vetëm Zoti. Zoti e fal jetën, ai edhe e merr. Kur të derdhet gjaku, jetë më në trup s'ka. Prandaj me gjak guxon të nderohet vetëm Zoti. Me gjak stërpikej elteri i tij, e njeriu nuk guxonte ta sfrytëzonte.

Kur Krishti përmendi Gjakun e vet si pije të besimtarëve - ajo për izraelasit ishte shkandull. As apostujt atë s'e kuptonin. Ata mbetën me të sepse patën besim të pakufishëm në Mësuesin e vet. Ndërkaq ata që nuk i besonin me gjithë zemër - megjithëse nuk ishin njerëz të këqinj, nuk mund ta pranonin këtë mësim, i cili për Krishtin ishte aq i rëndësishëm, që e përkrahu me krejt autoritetin e vet.
Pasi shumica u shkandulluan dhe u larguan, Krishti i pyeti apostujt: "A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?" Shën Pjetri i përgjigji në emër të shokëve: "Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur!..." Nuk tha Pjetri se e merr vesh Mësuesin, por tha se i beson.

Kishte edhe asish që nuk u larguan, jo sepse besonin, por sepse s'patën fuqi të distancohen prej shokëve. I tillë ishte edhe Juda. Të tillët kot mbetën në grupin e Krishtit. Ata më në fund prapë e trathtuan.

Shën Pali shkruan atyre që i takojnë Krishtit dhe nuk u distancuan prej tij - e të tillë jemi të gjihë ne që jemi pagëzuar në emër të Krishtit. Ai na mëson që të sillemi ndaj njëri-tjetrit ashtu sikurse Krishti sillet ndaj Kishës. Krishti aq e do Kishën, që jetën e dha për të. Korpin e Gjakun e vet ia jep për ushqim dhe pije. Ai është kryet e Kishës, por vetveten e flijon për Kishë. Prandaj edhe Kisha në gjithçka i nënshtrohet Krishtit.

Ashtu duhet me qenë edhe ndër bashkëshortët e krishterë, por jo vetëm ndër ta. Ndër të gjithë besimtarët duhet me qenë ashtu: Ata që kanë nderin më të madh, kanë edhe obligimet më të mëdhaja dhe më tepër duhet të flijohen për ata që janë nën pushtetin e tyre. Ata që s'kanë pushtet, por mësojnë prej të tjerëve, apo në ndonjë mënyrë tjetër janë varaur prej tyre - duhet vullnetarisht të nënshtrohen udhëzimeve, mësimeve, autoritetit, apo pushtetit të ligjshëm - që ky të mund pa dhunë, pa forcë, por me dashuri ta kryejë obligimin e vet për të mirën e përbashkët.

Por, mjerisht, këtu natyra e njeriut është në tundim t'i kundërshtojë ligjit të Zotit dhe mësimit të apostujve. Zotit të vërtetë nuk don t'i nënshtrohet vullnetarisht. Ligjin e dashurisë nuk e respekton. Më tepër e do ligjin e dhunës, e forcës, e armëve. I shërben më të fortit dhe më të rrezikshmit, e jo më të mirit ose më të drejtit.

Burri dëshiron të sundojë mbi gruan e vet - më tepër se sa të flijohet për të dhe për krejt familje. Gruaja nuk do vullnetarisht t'i nënshtrohet burrit të vet për hatër të Zotit, por vetëm nëse s'ka tjetër rrugëdalje. Në vend të jetojnë në dashuri dhe në dashuri t'i edukojnë fëmijët, ata shpeshherë fëmijët e vet gjithçka mësojnë më tëpër e më mirë se sa që të jetojnë në paqe dhe dashuri me të afërmin e vet.

Ashtu është edhe në marrëdhënie politike: kombëtare dhe ndërkombëtare. Respektohet i forti. Nderohet fuqia. Arsyetohen dhe reklamohen luftrat. Jeta në paqe, në harmoni, ne mirëkuptim s'është në modë.

Për këtë arsye vuajmë. Për këtë arsye vriten jo vetëm djem të rinj, por edhe fëmijët, edhe pleqtë. Për këtë arsye jemi të pasigurtë. Për këtë arsye nuk dimë a do të shkojnë fëmijët në shkollë në këtë vjeshtë, apo jo...

Shumë probleme ka kur t'ia kthejmë shpinën Zotit. Shumë probleme ka nëse nuk i shërbejmë njëri tjetrit për të mirën e përbashkët, por dëshirojmë t'i nënshtrojmë të tjerët për interesin tonë personal. Shumë probleme dalin kur dashurinë e zëvendëson ligji, e ligjin dhuna.

Kuptohet, ne nuk kemi mundësi që për disa ditë ta ndërrojmë situatën politike, apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Por kemi mundësi të gjithë që në familjet tona të bëjmë atë çka është më me rëndësi që në to të zotërojë mirëkuptimi, paqja dhe dashuria.

Në këtë punë - vetëm nëse duam - Krishti gjithmonë është i gatshëm të na ndihmojë. Ai Korpin dhe Gjakun e vet na ka dhënë si ushqim dhe pije, që të na forcojë të jetojmë sikur ai: të flijohemi për të afërmin tonë deri në pikën e fundit të gjakut!

Zoti na dhashtë forcë ta ndjekim shembullin e Krishtit.

Amen.

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, ashtu si dikur dishepujve të tij, kështu edhe neve, sot, Jezusi na kërkon të besojmë në Fjalën e tij. I lutemi Zotit që të na japë një besim të bindur e mirënjohës. Të lutemi së bashku e të themi:
O Zot, shtoje besimin tonë.
----------
1. Për Kishën: që edhe përballë kërkesave të mëdha të fjalës së Zotit të ruajë gjithmonë besimin në Zotin. Të lutemi.
O Zot, shtoje besimin tonë.
----------
2. Për përgjegjësit e jetës politike e shoqërore: që edhe nëpërmjet sakrificave, të gjejnë zgjidhje me të vërtetë të drejta e në favor të të gjithëve. Të lutemi.
O Zot, shtoje besimin tonë.
----------
3. Për besimtarët në Krishtin: që, nën shembullin e Pjetrit, të dinë të rrëfejnë që vetëm Jezusi ka fjalët e jetës së amshuar.
Të lutemi.
O Zot, shtoje besimin tonë.
----------
4. Për ne këtu të pranishëm: që duke u ushqyer nga trupi dhe gjaku i Krishtit, të dimë të dëshmojmë gjithmonë e më shumë dashurinë e Zotit për njerëzit. Të lutemi.
O Zot, shtoje besimin tonë.
----------
M. O Zot, që me diturinë tënde udhëheq historinë e na mbush me bekimin tënd, dëgjoje lutjen tonë plot besim e ringjall në ne kujtimin e mrekullive që ke kryer në Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Amen.
(Sipas: - dehon.albania@yahoo.it )
www.kisha-katolike-gjakove.com/UNGJILLI I SË DIELËS







All the contents on this site are copyrighted ©.