2009-08-23 12:13:03

Benedikti XVI e meshtarët, në Vitin që u është kushtuar.


(23.08.2009 RV)RealAudioMP3 Viti Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI për t’i dhënë një shtytje të re impenjimit të përtëritjes shpirtërore të të gjithë meshtarëve, për një dëshmi ungjillore më të fortë e më energjike në botën e sotme, do të mbyllet në vitin 2010 me takimin ndërkombëtar të meshtarëve, përqendruar tek tema: “Besnikëria e Krishtit, besnikëria e meshtarit”.
Do të hapet më 9 qershor në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës me një konferencë mbi ‘Shndërrimin e misionin”, do të vijojë të nesërmen në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, me reflektimin mbi temën “Çenakulli: lutje drejtuar Shpirtit Shenjt me Marinë, në bashkim vëllazëror” e të premten, me reflektimin: “Me Pjetrin, në bashkim kishtar”. Ati i Shenjtë do të kryesojë, në përfundim, Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit, duke mbyllur Vitin Meshtarak, shpallur me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së Famullitarit të Arsit, Shën Gjon Maria Vianejt.
Po Viti kushtuar Meshtarëve sapo ka filluar e Papa e ka në qendër të vëmendjes formimin e tyre, sepse pa të, ungjillëzimi i ri rrezikon të mbetet thjesht parullë. Këtë Benedikti XVI e theksoi në audiencën e përgjithme të së mërkurës së kaluar, kushtuar Shën Gjonit Eudes, apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, duke ngulmuar posaçërisht tek formimi intelektual e shpirtëror i meshtarëve, të cilët duhet t’ia kushtojnë plotësisht mendje e zemër misionit meshtarak. Në se Kisha nuk ka meshtarë të përgatitur – mendon Papa - njerëzve do t’u mungojë ndihma e domosdoshme shpirtërore. Prandaj edhe sot vërehet nevoja që meshtarët ta dëshmojnë mëshirën e pakufishme të Zotit, me një jetë të pushtuar nga Krishti, e ta mësojnë këtë që në vitet e përgatitjes së tyre në seminar.







All the contents on this site are copyrighted ©.