2009-08-20 16:31:56

Përkujtimi i Shën Bernardit të Kjaravales. Papa: Evropa moderne lindi nga harmonizmi murgar i kërkimit të Zotit me kulturën e punës.


(20.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot u kremtua festa liturgjike e Shën Bernardit të Kjaravales, abat e dijetar i Kishës, Atë i Çisterçensëve. Për këtë Shenjt të madh, Benedikti XVI ka folur disa herë, duke nënvizuar posaçërisht drejtpeshimin ndërmjet veprimtarisë e lutjes, punës e kërkimit të Zotit.
Shën Bernardi, që jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë – pohon Papa - as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës.
Bernardi lindi në Dizhon të Francës, në vitin 1091. 25 vjeçar ishte abat i manastirit të Kjaravales. I qortonte murgjërit, që jetonin në mes të të mirave, ndërsa të varfërit vdisnin nga uria. Por i pranonte përvujtërisht edhe kufizimet e veta, duke bërë çmos ta sundonte temperamentin e tij të rrëmbyer. Për të – kujton Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 20 gushtit 2006 – forca më e madhe e jetës shpirtërore është dashuria:
“Hyji, që është dashuri, e krijon njeriun për dashuri e për dashuri edhe e shpëton; të gjitha qeniet njerëzore, të plagosura për vdekje nga mëkati i rrjedhshëm e të rënduara nga mëkatet personale, mund të shëlbohen duke e lëshuar plotësisht vetveten në duart e dashurisë hyjnore, që na u dëftua plotësisht në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur. Me dashurinë e tij Hyji shëron vullnetin e mendjen tonë të sëmurë, duke i lartuar në shkallën më të lartë të bashkimit me Të, domethënë në shenjtëri e në bashkim mistik”.
Shën Bernardi dëshiron të jetojë i zhytur në luginën e ndritur të kundrimit, por detyrohet t’i kushtohet një veprimtarie të dendur, të palodhshme, të gjithanëshme: themelon 68 manastire të cilat, përveçse qendra fetare, bëhen edhe shkolla të kulturës, të bujqësisë e të punës së dorës. Shtegton në mbarë Evropën në shërbim të Papës për të çuar paqen ndërmjet kombeve. Por gjithë kjo veprimtari e ethshme, nis nga heshtja e thellë e lutjes, sepse për të gjëja më e rëndësishme është të kërkojë Zotin:
“Duhet të ruhemi, vëren Shenjti, nga rreziqet e një veprimtarie të tepruar, pavarësisht nga puna a detyra që na është ngarkuar, sepse – kështu i pati thënë papës së asaj kohe, mbarë papëve e të gjithë neve – detyrat e shumta shpesh herë ta bëjnë gur zemrën, ta trondisin shpirtin, ta ligështojnë mendjen, ta humbasin hirin”… Sa e nevojshme është edhe për ne kjo porosi, që na kujton se vendin e parë e zë gjithmonë lutja!” (Engjëlli i Tënzot i 20 gushtit 2006).
Shën Bernardi kërkon Zotin, duke ecur në gjurmët e Marisë, të cilën e krahason me yllin, që u ndihmon lundërtarëve të gjejnë udhën e humbur. Papa kujton lutjen e njohur të Shenjtit të Kjaravales:
“Në dallgët e ngjarjeve të kësaj bote, të duket se nuk ecën mbi tokë, por mbi kreshta valësh, që çohen mal nga stuhitë; mos i shkëput, prandaj, për asnjë çast sytë nga vezullimi i këtij ylli, në se nuk dëshiron të gëlltitesh nga dallgët… Shikoje Yllin, lutju Marisë. Duke ecur në gjurmët e saj, nuk e gabon kurrë rrugën. Në se Ajo të mbron, nuk ke më frikë; në se të prin, nuk ndjen më lodhje, në se Ajo të përkrah, arrin cakun” (Hom.super Missus est, II, 17); (Engjëlli i Tënzot i 20 gushtit 2006).
Duke folur për Shën Bernardin e Kiaravales në audiencën e përgjithshme të 20 gushtit 2008, Benedikti XVI kujtoi se Papa Piu VIII e pati quajtur “doktori gojëmjaltë”, sepse ishte tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar kuptimin që fshihej ndër to. Ky mistik i madh – shtoi Ati i Shenjtë - që dëshironte mbi gjithçka kundrimin e Hyjit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor marian’, jo sepse shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin e saj themelor në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e të çdo forme tjetër të jetës së krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.