2009-08-20 16:42:28

Në Afganistan përfunduan sot votimet në një atmosferë tepër të acaruar nga sulmet e talebanëve.


(20.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në Afganistan përfunduan sot votimet në një atmosferë tepër të acaruar nga sulmet e talebanëve.Nga to do të dalë presidenti i ri si edhe do të zgjidhen përfaqësuesit e 34 parlamenteve të provincave.
Në mëngjes presidenti Hamid Karzai i bëri thirrje popullit afgan që të mos ketë frikë nga kërcënimet e talebanëve dhe ta shprehë mendimin e tij me anë të votës së lirë. “Megjithëse sot paradite pati disa sulme, votuesit shprehën dëshirën e tyre për të votuar” - tha për shtypin zëdhënësi i misionit të OKB-së për Iranin Alem Sidike. Rezultatet e votimeve do të bëhen të njohura pas 17 shtatorit, kur komisioni që shqyrton manipulimet do të shpallë zyrtarisht përfundimet.
Po cila ishte në të vërtetë situata sot në vend? Në mikrofonin tonë flet Simona Lanxoni e fondacionit “Pangea Onlus” që promovon shumë projekte për zhvillimin e popullit afgan:


Përgjigje: Populli është mjaft i terrorizuar nga kërcënimet e talebanëve por edhe i shqetësuar nga gjendja politike tepër e nderë që mbretëron jo vetëm në Kabul, por në të gjithë Afganistanin.

Pyetje: Pra, është një atmosferë që ndikoi në ecurinë e votimeve?

Përgjigje: Patjetër që po. Mos të harrojmë se dhjetë ditët e fundit talebanët kërcënuan seriozisht të gjithë popullatën, veçanërisht në jug, nëpër xhami, me anën e fletushkave, nëpërmjet mesazheve me radio duke hyrë në frekuencat e radiove të tjera por edhe duke përhapur fjalë se do t’ia presin gishtin atyre që do ta kenë të ngjyrosun me bojën e votimit. Flitet pastaj edhe për manipulime të votimeve si në veri ashtu edhe në jug.

Megjithatë duket se votimet shkuan më mirë nga ç’pritej. Në jug pjesëmarrja qe e lartë ndërsa në veri dhe në perëndim erdhi duke u rritur dalëngadalë. Sidoqoftë edhe sot nuk pati qetësi. Në Kabul policia vrau dy talebanë si edhe arrestoi dy kamikaze. Por ç’i karakterizoi këto votime? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Atë Xhuzepe Moreti, përgjegjës për bashkësinë katolike ndërkombëtare në Afganistan:


Përgjigje: Populli afgan është i zgjuar, krenar dhe i zgjuar. Është i vetdijshëm se kanë ardhur ndihma të shumta nga jashtë dhe pyet se ku kanë përfunduar ato. Së dyti, pastaj shumica e popullsisë është ende pa ujë, pa energji elektrike, me rroga të ulta, ka papunësi, domethënë ka pakënaqësi. Pakënaqësi, pra, sepse nuk janë realizuar shumë nga premtimet e bëra.







All the contents on this site are copyrighted ©.