2009-08-20 16:51:11

Bernardi i Kiaravales dhe lindja e përshpirtërisë çisterçense


(20.08.2009 RV) “Mirupafshim, vëllaçko” - thotë Bernardi. - Po ta lë ty gjithë ç’kemi trashëguar”.
“Pooo, sigurisht, ju po merrni për vete qiellin e mua po më lini tokën: nuk më duket ndarje e drejtë e gjësë kjo!”.
Nivardi, vëllau më i vogël i familjes, është tepër i trishtuar. Rri te pragu i asaj shtëpie, ku mbeti vetëm me babanë plak, duke shikuar vëllaun e madh, Bernardin që zhduket, së bashku dhe shtatë sivëllezër të tjerë. Nisen për abacinë e Sitosë, ku kanë vendosur t’ia kushtojnë gjithë jetën Zotit.
Gjatë udhës, me ta bashkohen edhe shokë e kushërinj të tjerë: në fund, kur paraqiten tek porta e abacisë benediktine, janë bërë rreth tridhjetë vetë.
Jemi në vitin 1112 e Bernardi nuk e zgjedh rastësisht abacinë e Sitosë. Në këtë kohë benediktinët janë ndarë në dy familje: në Sito, murgjërit vijojnë të jetojnë në varfëri, ashtu si dëshironte Shenjti i madh themelues. Ndërsa në abacinë e Klynisë, benediktinët kanë nisur të jetojnë me salltanet të madh: arti e liturgjia e kremtojnë madhështinë hyjnore me shkëlqim mbretëror. Por nuk është ky ideali murgar që kërkon Bernardi.
Pasi kalon disa vjet në Sitò, Bernardi mendon se ka ardhur koha për ta rishikuar rregullën benediktine, që u ka bërë ballë gjashtë shekujve. Prandaj shkon në një vend të quajtur Kiaravale, për të themeluar aty një abaci të re çisterçense (që do të thotë, sipas përshpirtërisë së Sitosë) e për të vënë në jetë një përshpirtëri të re. Në abacinë e Kiaravales, Bernardi, që sapo i ka mbushur 25 vjet, së bashku me shokët e tij, bëjnë një jetë tepër të thjeshtë, që i përngjan jetës së Jezusit. Në qelinë e tij Bernardi e rishikon rregullën e Shën Benediktit, por pa i prekur parimet themelore: punë, thjeshtësi, lutje, përkorë e varfëri. Më pas Bernardi me shokët e tij, vendosin të mbajnë zhguna të bardhë: lind kështu urdhëri Çisterçens. E me sukses të plotë. Ndonëse rregulla që propozon Bernardi është e rreptë, tërheq menjëherë shumë djem e vajza. Pak kohë më vonë edhe Nivardi me gjithë të jatin, bashkohen me Bernardin. E ndërsa murgjërit e Klynì shikojnë si zbrazen kuvendet e tyre, abacitë çisterçense lulëzojnë në mbarë Evropën.
Kur vdes Bernardi, numërohen treqind e pesëdhjetë abaci çisterçense. Jeta murgare, e menduar nga Shën Benedikti, rifiton freskinë e zanafillës. E të mendosh se në fillim ishin vetëm 30 djelmosha, të mbledhur rrugës. ..
Ndërsa sot në botë numrohen jo tridhjetë, por njëqind e shtatëdhjetë e nëntë manastire çisterçense.







All the contents on this site are copyrighted ©.