2009-08-20 16:42:12

Atentate të tjera në Irak. Imzot Varduni: pas ferrit të Bagdadit fshihen tregtarët e armëve.


(20.08.2009)Përsëri atentat sot në Bagdad pas atyre të djeshmeve që shkaktuan 95 të vdekur dhe 450 të plagosur. Një biçikletë me bombë shpërtheu duke lënë dy të vdekur dhe tetë të plagosur në kryeqytet. Ndërkaq bashkësia ndërkombëtare dënoi njëzëri sulmet e djeshme kundër ministrive në “Zonën e Gjelbër” të Bagdadit.
Imzot Shlemon Varduni, ipeshkëv ndihmës i Kaldejve flet në mikrofonin e radios sonë për dëshpërimin që ka mbërthyer qytetarët:

Përgjigje: Ndoshta ferri dëshiron të ndërrojë vend dhe të vijë në tokë sepse janë njerëzit ata që e krijojnë ferrin. Nuk di ç’të them. Kemi mbetur pa fjalë me shikimin nga qielli. Njerëzit janë shtangur nga tmerri i atentateve të ditëve të fundit.

Pyetje: Kanë përshtypjen se është kthyer edhe një herë lufta.

Përgjigje: Po, ashtu është sepse brenda një dite pati gjashtë bombardime, gjashtë autobomba dhe raketa aq sa u vranë disa dhjetra qytetarë dhe u plagosën më shumë se 400 a 500 vetë. Ah çfarë shkatërrimi!...Kush donte të shkonte në punë tani nuk shkon më. Edhe ata që duan të shkojnë në shkollë pisk do ta kenë sikurse edhe ata që duan të shkojnë në kishë.

Pyetje: Imzot Varduni, po a mund të kesh besim tek autoritetet dhe policia në këto kushte?

Përgjigje: Ç’besim tek autoritetet kur terrorizmi bredh i lirë nëpër rrugë! Ç’besim tek bota, e unë po flas për mbarë botën! Ç’po bëjnë për t’i parandaluar këto akte terroriste? Kombet që prodhojnë armë, çfarë po bëjnë? A nuk fshihen ato pas gjithë këtyre akteve terroriste? Pse, armët nga vijnë? Këto autobomba nga vijnë? Është dikush që i prodhon dhe i shet.







All the contents on this site are copyrighted ©.