2009-08-19 17:46:33

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Motrat-hamalle”


(19.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Emisioni i gjashtëmbëdhjetë i ciklit ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, na nxit të reflektojmë për veprimtarinë e jashtëzakonshme të motrave të bamirësisë në të katër anët e botës. Njerëzit i shikojnë e reagojnë në mënyra nga më të ndryshmet: disa përpiqen t’i ndihmojnë, materialisht ose shpirtërisht; të tjerë i çudit misioni i tyre i vështirë e nuk arrijnë të kuptojnë si mundet një njeri normal ta shkrijë vullnetarisht gjithë jetën në shërbim të njerëzve më të humbur, të flakur në rrugë të madhe nga shoqëria, që në dukje, janë thjeshtë pengesë për zhvillimin. Pa kurrfarë interesi. Duke e përbuzur krejtësisht paranë, që bota e konsideron si forcë lëvizëse, e sendet që mund të blihen me të. Ç’ të fshehtë ka ky mision, për hir të të cilit motrat pranojnë t’i quajnë edhe ‘hamalle’? Pikërisht ‘Motrat-hamalle’ është titulli i emisionit të sotëm, në të cilin Nënë Tereza tregon:

“Vijoj t’u kujtoj motrave se nuk kanë arsye të turpërohen, kur njerëzit i lavdërojnë për atë që bëjnë.
Ua kujtoj këtë, sepse të gjithë duhet ta shikojnë ç’janë në gjendje të bëjnë për dashuri të Krishtit, ose më mirë të them, ç’është në gjendje të bëjë Krishti përmes mjeteve të tij më të përvujta.
Gjithçka bëjmë, e bëjmë për lavdi të Tij.
Nuk dua që motrat e mia të bëjnë mrekulli, duke qenë meskine, shpirtvogla, zemërngushta.
Madje dua të jenë zemërgjëra e shpirtmëdha deri në tepri.
U them motrave se nuk duhet t’ia falim vetes vesin e shqetësimit për të ardhmen.
Nuk ka arsye!
Zoti është këtu.
Po t’i hapim rrugën lakmisë për para, me të na pushton edhe lakmia për sendet, që mund të blihen me para, dmth për gjërat e tepërta, për zbukurimin e shtëpisë me sende të kota, për gjellë të zgjedhura, për veshje të shtrenjta, për pajisje elektrike shtëpijake , etj. etj. Kërkesat e njeriut nuk mbarojnë kurrë…
Nevojat, ose më mirë të themi tekat, vijnë duke u shtuar, sepse një dëshirë ngjall një tjetër e zemrat njerëzore mbeten gjithnjë të pakënaqura, të pangopura.
Duhet të punojmë për shpirtrat.
Rëndësi kanë shpirtrat, jo sendet.
Unë ndjehem e lume vetëm kur u shërbej shpirtrave.
Besoj se edhe motrat e mia ndjehen të lume kur shpëtojnë shpirtra.
Në fund të fundit, pikërisht për këtë filluam të vihemi në shërbim të njerëzve në prag të vdekjes: që të mund t’i ndihmojmë të mendojnë për Zotin në çastet e fundme e që të kryejmë një vepër dashurie, para se t’i mbyllin sytë për dritën e kësaj bote.
Dëshirojmë të vdesin të pajtuar me Zotin.
Besoj se edhe motrat, përtej trupave të drobitur, shikojnë shpirtrat e ndjehen kështu të lumtura.
Puna jonë nuk na shkëput nga Zoti. Përkundrazi.
Zoti është i mirë me Kongregatën.
Na fton vazhdimisht për të shkuar në vende nga më të ndryshmet.
Madje nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi gjithë atyre kërkesave, që na vijnë nga të katër anët.
Na duhen shumë më tepër motra.
Duhet të lutemi të shtohet numri i atyre, që ndjejnë thirrjen për t’iu kushtuar të varfërve më të varfër.
Ne i mbartim vetë plaçkat tona, aq sa kanë arritur të na quajnë ‘motrat hamalle’, me që këtë shërbim e kryejmë vetë.
Kur motrat shkojnë të hapin një fondacion të ri, ne i përcjellim gjithnjë me këngë.
E unë lidhem vazhdimisht me të gjitha shtëpitë e me të gjitha motrat.
I vizitoj sa herë mundem.
Natyrisht, numri i vizitave pakësohet, sa më shumë shtohet numri i fondacioneve.
Prandaj kam nisur t’u shkruaj shpesh të gjitha motrave".  







All the contents on this site are copyrighted ©.