2009-08-19 16:20:40

Papa në audiencën e përgjithshme: formimi i përhershëm i meshtarëve është i domosdoshëm, që ungjillëzimi i ri të mos mbetet thjesht parullë.


(19.08.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Kastel Gandolfo, Papa theksoi me forcë nevojën e formimit të përhershëm të meshtarëve. Benedikti XVI i ftoi besimtarët që, gjatë këtij Viti Meshtarak, të luten në mënyrë të veçantë për seminaristët. Ndërmjet besimtarëve, të pranishëm edhe disa shtegtarë ardhur nga Nigeria e nga India.

Në qendër të vëmendjes, në katekizmin e sotëm, ishte figura e Shën Gjonit Eudes, apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, në një shekull si ai i XVII, kur sundonin ideologjitë që e përbuznin fenë e krishterë. Ishte periudhë e vështirë. Evropa qe shkretuar nga luftërat – kujtoi Papa – e edhe shpirtrat qenë shkretuar. Por megjithëkëtë, pikërisht në këtë kohë, Shpirti Shenjt ngjallte një frymë përtëritjeje shpirtërore, plot zell, duke i dhuruar Kishës personalitete të spikatura. Ndërmjet tyre, Shën Gjoni Eudes: i lindur në Normandi, në vitin 1601, qe dëshmitar i zjarrtë i Ungjillit, derisa vdiq, më 1680. Vepra e Shenjtit u realizua në frymën e Koncilit të Trentit, mbajtur nga viti 1545 deri në vitin 1563:
“Koncili i Trentit përcaktoi norma lidhur me ngritjen e seminareve dioqezane për formimin e meshtarëve, nga që Etërit konciliarë ishin të vetëdijshëm se gjithë kriza e reformës kushtëzohej edhe nga formimi i pamjaftueshëm i meshtarëve, të cilët nuk ishin të përgatitur si duhet intelektualisht e shpirtërisht, me mendje e me zemër, për misionin meshtarak. Por zbatimi, vënia në jetë e këtyre normave, po vonohej si në Gjermani, ashtu edhe në Francë, e Shën Gjoni i shihte pasojat e kësaj vonese. Vepronte me vetëdijen se njerëzve u mungonte ndihma e domosdoshme shpirtërore, pikërisht për shkakun se pjesa më e madhe e klerit nuk kishte formim të përshtatshëm”.
Kështu Shën Gjoni Eudes themeloi një Kongregatë kushtuar posaçërisht formimit të meshtarëve. Udha e shenjtërisë, që propozonte, kishte në themel besimin e pakufishëm në dashurinë që Hyji i zbuloi njerëzimit përmes Zemrave të Krishtit e të Zojës së Bekuar:
“Ai, në këtë kohë të mizorive, të humbjes së shpirtit, foli për zemrën. Donte t’u kujtonte njerëzve, e sidomos meshtarëve të ardhshëm, pikërisht zemrën: Zemrën meshtarake të Krishtit e Zemrën amtare të Marisë, që çdo meshtar të ishte dëshmitar e apostull i dashurisë së Zemrës së Krishtit e të Marisë. E edhe sot vërehet nevoja që meshtarët ta dëshmojnë mëshirën e pakufishme të Zotit, me një jetë të pushtuar nga Krishti, e ta mësojnë këtë që në vitet e përgatitjes së tyre në seminar”.
Papa kujtoi, në vijim, Nxitjen Apostolike “Pastores dabo vobis” të Gjon Palit II, që rishikoi normat e Koncilit tridentin mbi formimin e klerit:
“Papa Gjon Pali II… nënvizon posaçërisht vazhdimësinë e nevojshme ndërmjet çastit të formimit fillestar e atij të vazhdueshëm… pikënisje e vërtetë për reformën e jetës e të apostullimit të meshtarëve e edhe pikë-kyçe, që ungjillëzimi i ri të mos mbetet thjesht një parullë tërheqëse, por të bëhet realitet”.
Themelet e hedhura në formimin seminaristik – kujtoi Benedikti XVI – përbëjnë atë humus të pazëvendësueshëm shpirtëror, në të cilin ‘mësohet Krishti”, bëhen përpjekje të vazhdueshme për t’i përngjarë Atij, që është i vetmi Kryemeshtar e Bari i Mirë. Koha e seminarit – shtoi Papa - duhet parë edhe si aktualizim i çastit në të cilin Jezusi, pasi i thirri Apostujt e para se t’i niste për të predikuar, u kërkoi të rrinin me Të:
“Kur Shën Marku flet për thirrjen e dymbëdhjetë apostujve, na tregon se Jezusi kishte një synim të dyfishtë: së pari, që të ishin me Të, e vetëm së dyti, që të dërgoheshin për të predikuar, por gjithnjë duke qenë me Të. Kështu e kumtojnë me të vërtetë Krishtin dhe e çojnë realitetin e Ungjillit në botë”.
Së fundi Papa i ftoi besimtarët të luten, në këtë Vit Meshtarak, për ata që përgatiten të marrin dhuratën e jashtëzakonshme të meshtarisë e, në vijim, iu drejtuar meshtarëve me fjalët e Shën Gjonit Eudes:
“Dhurojani veten Jezusit, për të hyrë në pafundësinë e Zemrës së Tij të madhe, që nxë Zemrën e Nënës së tij të Shenjtë e zemrat e të gjithë shenjtorëve, e për të humbur në këtë pafundësi dashurie, mëshire, përdëllimi, përvujtërie, durese, nënshtrimi e shenjtërie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.