2009-08-19 17:48:44

Afganistani në prag të votimeve. Shtohen sulmet e talebanëve.


(19.08.2009 RV)RealAudioMP3 Talebanët duket se i kanë shpallur luftë zgjedhjeve presidenciale dhe administrative që do të zhvillohen nesër në Afganistan. Sulmet e tyre sa vijnë e shtohen jo vetëm në Kabul por edhe në të gjithë vendin. Në lajmerimin e fundit të tyre thuhet se nëpër rrugët e Kabulit vërtiten afro 20 kamikaze, të gatshme të hidhen në erë. Po ashtu në jug të vendit vijojnë pa ndërprerje sulmet kundër qendrave të votimit, shumë prej të cilave nesër do të qëndrojnë të mbyllura. Mendohet se vetëm 10 përqind e qendrave të votimit do të hapin nesër për të pritur votuesit që do të guxojnë të sfidojnë terroristët.
Ndërkaq atentatet vazhduan edhe sot në të gjithë vendin. Në Kabul tre talebanë dhe tre policë mbetën të vrarë gjatë marrjes peng të një banke nga ana e terroristëve. Po ashtu katër policë afganë u vranë gabimisht në Gazni nga një helikopter i NATO-s.
Po, si po e përjetojnë këtë situatë vetë afganët? Nga Kabuli flet i dërguari i ANSA-ës Mauricio Salvi:

Përgjigje: Është e pamundur të mendohet një situatë më e tensionuar se kjo në prag votimesh. Duhet thënë se këtu në Kabul, deri edhe vetë afganët, që janë mësuar prej vitesh tashmë me sulme, atentate dhe bomba, tani janë tepër të shqetësuar. Rrugët e Kabulit janë krejtësisht të shkreta.







All the contents on this site are copyrighted ©.