2009-08-18 16:44:58

“Të mbrohen të drejtat e punëtorëve emigrantë si edhe familjet e tyre”. Intervistë me sindikalisten Liliana Okmin.


(18.08.2009 RV)Nuk ka kaluar veçse një javë nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit të krimit të qëndrimit ilegal në Itali dhe shqetësimi në rradhët e emigrantëve sa vjen e rritet. Bashkë me të janë paraqitur edhe denoncimet e para të cilat do të diskutohen përpara gjykatësit të paqës, por pas datës 15 shtator.
Ligji i njohur ndryshe edhe si “paketa e sigurisë” në fakt nuk parashikon arrestimin e emigrantëve klandestinë por gjobitjen e tyre me një shumë që shkon nga 5 deri në 10 mijë euro si edhe dëbimin e menjëhershëm të tyre. Sidoqoftë pikat më delikate të nenit 21 janë: e para, detyrimi që ka tash e mbrapa çdo shtetas italian t’i denoncojë klandestinët pranë organeve kompetente, dhe e dyta, fëmijët prindërit e të cilëve janë klandestinë, nuk mund të shkojnë më në shkollë.
Po, si janë duke e përjetuar këtë gjendje të huajt që nuk kanë dokumente qëndrimi në Itali? Këtë pyetje ia drejtuam sekretares së përgjithshme të sindikatës italiane Cisl Liliana Okmin, me origjinë nga Peruja, përgjegjëse për politikat emigruese. Le ta ndjekim:

Përgjigje: Nuk mund të mohohet se janë të shumtë ata që jetojnë në Itali pa leje qëndrimi e që punojnë në të zezë. Këta janë në ankth sepse dihet që zbatimi i “paketës së sigurisë” bën që qëndrimi ilegal në vend të quhet krim nga ligji.
Por nga ana tjetër edhe ne kemi ndërmarrë hapa për ta bërë punëtorin emigrant të dalë nga kjo situatë e vështirë me anë të një vetëdeklarate për rastet kur punëdhënësi nuk pranon ta deklarojë si të punësuar. Punëtorit duhet t’i jepet mundësia që nëpërmjet një dokumenti apo të një deklarate të thotë se i plotëson të gjitha kushtet për punë dhe se vetëm për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e pronarit ai nuk arrin të shkëputet nga puna në të zezë. Kjo gjë do t’u japë shpresë të gjithë punëtorëve emigrantë se jo vetëm do të mund të vijojnë punën që kanë sot për sot, por edhe se një ditë do të marrin lejen e qëndrimit sipas ligjit.

Pyetje: Sa kërkesa për legalizim të qëndrimit në Itali janë bërë deri tani?

Përgjigje: Po, flitet për nja 500 mijë, por këtë do ta marrim vesh më me saktësi të nesërmen e ditës kur skadon afati i paraqitjes së kërkesave.

Pyetje: Çfarë mendoni për ashpërsimin e nenit që ka të bëjë me lidhjet martesore?

Përgjigje: Po, nuk është gabim të luftohet dukuria e mbrapshtë e martesave për interes. Jemi të mendimit se ligji duhet respektuar. Por ama duhen bërë dallime për rastet kur nga kjo lidhje kanë lindur fëmijë duke u dhënë përparësi këtyre lloj kërkesash për legalizim.







All the contents on this site are copyrighted ©.