2009-08-18 16:43:32

Çelësi i fjalëve të Kishës: “Adami e roli i tij’ (emisioni VII)


(18.08.2009 RV)RealAudioMP3 Në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues, do të flasim për “Adamin” e do të shpjegojmë rolin e tij për fenë e krishterë.

Jo gjithkush e di, por “Adam” nuk është emër i përveçëm. Në hebraisht “ha-‘adam”, ai përcakton në përgjithësi njerëzimin, pra njeriun e çdo kohe e të çdo vendi. Termi vjen nga rrënja “’adamah”, toka nga është nxjerrë, apo krijuar, sipas tregimit të Librit të Zanafillës. Adami pra jemi ne, janë parardhësit e pasardhësit tanë e ajo që tregon Zanafilla për të, na takon të gjithëve. Edhe gruaja e parë mban një emër simbolik. Ajo është “Havah”, Eva, që do të thotë “e gjallë”, nëna e jetës.
Tri janë marrëdhëniet që karakterizojnë historinë e njerëzimit. “Adami” dhe marrëdhënia e tij me më të Lartin, me trashendentalen, me Zotin, nga i cili merr jetën dhe shpirtin (frymën e jetës) e që ka të bëjë me konceptin njerëzor të ndërgjegjes.Pastaj, njeriu ka lidhje me natyrën, që duhet ta kultivojë e ta ruajë, pra të punojë e ta shndërrojë atë. Së fundi, marrëdhënia e tij themelore është me “një ndihmë të ngjashme me të”, siç thotë origjinali hebraik, apo me gruan, “mish nga mishi i tij, kockë nga eshtrat e tij”. Pasi janë përcaktuar këto tri marrëdhënie, hyn në lojë një simbol vendimtar, “pema e njohjes së të mirës e të keqes”, shenjë e moralit dhe e lirisë njerëzore.
Adami-Njeri vendos të përcaktojë ai, në autonomi të plotë, se çfarë është keq e çafrë është mirë, duke shkaktuar kështu atë që e quajmë “mëkati i rrjedhshëm” e që prish të tria marrëdhëniet që përmendëm. Njeriu nuk është më në dialog me Zotin dhe largohet nga kopshti i Edenit, ku kishte mundësi të ishte në intimitet me Hyjin. Lidhja me natyrën bëhet e ashpër dhe puna e vështirë (“me djersën e ballit do ta fitosh bukën”). Lidhja e dashurisë me gruan bëhet konfliktuale.
Vetëm duke pasur parasysh këtë kuadër të dyfishtë, kuptohet antiteza që ndërton Shën Pali Apostull ndërmjet Krishtit, Adamit të ri, shprehje e njerëzimit të shëlbuar, dhe Adamit të parë mëkatar. Por, vëren Apostulli i Popujve, dhurata e hirit që Krishti sjell me vete, jo vetëm që shëlbon mjerimin tonë, por na ofron shumë më tepër, na bën bij të Hyjit e na lë trashëgiminë e jetës së amshuar. Për këtë, përmes Pagëzimit, “ne zhvishemi nga njeriu i vjetër dhe veprat e tij dhe vishemi me njeriun e ri, që përtërihet në përgjasim me Krijuesin e vet” (Kol 3,9-10).







All the contents on this site are copyrighted ©.