2009-08-18 16:42:16

Nga 9 deri më 11 qershor 2010, Takimi ndërkombëtar i meshtarëve. Ngjarja kulmore, Mesha me Benediktin XVI.


(18.08.2009 RV)RealAudioMP3 Viti Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI për t’i dhënë një shtytje të re impenjimit të përtëritjes shpirtërore të të gjithë meshtarëve, që të japin një dëshmi ungjillore më të fortë e më energjike në botën e sotme, do të mbyllet në vitin 2010 me takimin ndërkombëtar të meshtarëve, përqendruar tek tema: “Besnikëria e Krishtit, besnikëria e meshtarit”.
Takimi i madh i meshtarëve të mbarë botës, që do të mbahet në Romë nga 9 deri më 11 qershor të vitit 2010 për mbylljen e Vitit Meshtarak, do të ketë një program të pasur me dëshmi e lutje. Kulmi do të arrijë me Meshën e kryesuar nga Papa.
Organizimi i Kongresit, nën drejtimin e Kongregatës për Klerin, i është besuar Veprës Romake të Shtegtimeve. Do të hapet më 9 qershor në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës me një konferencë mbi ‘Shndërrimin e misionin”.
Të nesërmen meshtarët do të ritakohen në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku do të reflektojnë mbi temën “Çenakulli: lutje drejtuar Shpirtit Shenjt me Marinë, në bashkim vëllazëror”. Në mbrëmje Papa do t’u drejtojë fjalën meshtarëve, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.
Të premten, më 11 qershor, solemniteti i Zemrës së Krishtit, reflektimi do të përqendrohet tek tema: “Me Pjetrin, në bashkim kishtar”. Ati i Shenjtë do të kryesojë, në përfundim, Meshën Shenjte në Bazilikën e Vatikanit, duke mbyllur Vitin Meshtarak, shpallur me rastin e 150-vjetorit të vdekjes së Famullitarit të Arsit, Shën Gjon Maria Vianejt.

Të gjithë meshtarët, që dëshirojnë të marrin pjesë e të akreditohen në punimet e takimit, mund të njoftojnë sekretarinë organizuese me seli në Romë. Adresa: Opera Romana Pellegrinaggi, Piazza Pio XII n. 9 (tel. 0039 0669896393 / e-mail a.sacerdotalis@orpnet.org).







All the contents on this site are copyrighted ©.