2009-08-18 16:42:27

Kardinali Rodè, i dërguar i posaçëm i Papës në Mal të Zi për jubileun e mbartjes së relikeve të Shën Trifonit.


(18.08.2009 RV)RealAudioMP3 Kardinali Franc Rodè, prefekt i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike, është i dërguar i posaçëm i Papës në Mal të Zi për 1200-vjetorin e mbartjes së relikeve të Shën Trifonit. Jubileu do të kremtohet në Kotorr të Malit të Zi, më 17 tetorin e ardhshëm.
Sipas traditës lindore, Shën Trifoni, i lindur në Lampsako, në Turqinë e sotme, në vitin 232, nga prindër të krishterë, u martirizua në kohën e persekutimit të Decios (249-251). Në shekullin VI Shenjtit i u kushtuan dy bazilika në Kostandinopojë. Në vitin 809 tregtarët venedikas i rrëmbyen reliket e Shën Trifonit nga Kostandinopoja e, në vijim, pas një mrekullie, i lanë në Kotor të Malit të Zi, ku Shenjti u shpall pajtor i qytetit, pasi për nder të tij u ngrit edhe një bazilikë.
Shën Trifoni njihet si mbrojtës i prodhimeve bujqësore nga karkalecat e brejtësit e tjerë, si dhe i njerëzve, që rrezikohen nga sëmundje ngjitëse.







All the contents on this site are copyrighted ©.