2009-08-17 17:11:38

Çelësi i fjalëve të Kishës: “Fjala ‘festë"( emisioni VI)


(17.08.2009 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues, në emisionin e sotëm do të shpjegojmë fjalën “festë” në kuptimin që i jep asaj krishterimi.


Në të gjitha qytetërimet, festa është një lloj tempulli në kohë. Ashtu si në hapësirë përcaktohet një vend i shenjtë ku të ngrihet “shtëpia e Zotit”, edhe në kohë, në histori, i rezervohen disa ditë kultit, shkëputjes nga veprimtaria e përditshme, takimit me Zotin e me bashkësinë. Në Bibël kemi një kalendar festiv të hollësishëm, që kremton tri solemnitete në harkun vjetor: Pashkët, Rrëshajët dhe Tendat. Fillimisht, ato ishin festa sezonale e përcaktonin pranverën, me shkuarjen e barinjve në mal, verën, me korrjen dhe vjeshtën, me vjeljen e rrushit.
Izraeli i shndërron në përkujtime të ngjarjeve historike të jetuara nga populli: Pashkët evokojnë lirimin nga skllavëria egjiptiane; Rrëshajët (apo festa e Javëve) dhuratën e Ligjit në Sinai; Tendat, qëndrimin pikërisht në tenda gjatë udhëtimit për në tokën e premtuar. Nga rite bujqësore, solemnitetet hebraike u shndërruan në kohë të lidhura me historinë e shpëtimit, duke u dhënë mundësi njerëzve të rijetonin kështu përvojën kohore tridimensionale.
Në të vërtetë, gjatë festës evokohej e kaluara, e cila ishte akoma e gjallë në të pranishmen, por hidhej edhe vështrimi drejt së ardhmes mesianike, kur shpëtimi i popullit hebraik do të plotësohej me gjithsej. Ky profil i shumëfishtë mbetet edhe ne festat e krishtera, që e kanë qendrën në Pashkët e Krishtit. Ngjarja e kaluar vazhdon të përjetohet në të tashmen që po kremtohet, ndërsa shpresohet në Pashkët e mbretërisë së Hyjit, kur “nuk do të ketë më vdekje” e kur “Zoti do të jetë gjithçka në të gjithë”.
Jo vetëm viti karakterizohet nga festa të ndryshme; çdo javë kemi një ditë pushimi e lutjeje. Është “dita e shtatë”, që në tregimin e krijimit të Gjithësisë mishëron amshimin dhe është gati “koha e Zotit” (Zan 2,1-4). Urdhërimet e Tënzot na nxisin ta jetojmë këtë ditë si të ishte një lloj Pashkësh javore e pas Krishtit, dita e dielë e merr tërësisht këtë kuptim, të lidhur me Ngjalljen e Jezusit.
Profetët, ashtu siç bënë për tempujt e ritet e tij, u munduan që festat të mos reduktoheshin në akte thjesht të jashtme, por të ndërthureshin me impenjimin për një jetë të denjë, që nuk i harron të mjerët, për një fe të pastër që mund të ndikojë në punët e përditshme të shoqërisë. Festa e krishterë pra nuk është një lloj ishulli i shenjtë, ku kremtohet riti, por një farë e mirë që i jep kuptim e fryte historisë së njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.