2009-08-17 17:11:21

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Të varfërit u përkasin të gjithëve”.


(17.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e katërmbëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, kushtuar së Lumes, Rregulltarja e madhe na nxit t’i bëjmë vetes disa pyetje: “A e kemi për detyrë t’i ndihmojë të varfërit? Ç’përfaqësojnë për ne? Si sillemi me ta, kur u kalojmë pranë e i shikojmë me dorën e shtrirë? E kur i shikojmë duke vdekur në rrugë të madhe? Mbyllim sytë? Heshtim? Dhurojmë? E ç’duhet bërë, kur nuk kemi asgjë për të dhuruar?
Të dëgjojmë përgjigjen e Nënë Terezës:

“Kur ndokush pohon, siç pohoi një ditë kryeministri i Shtetit të Bengalës Lindore, se ‘në vendet komuniste të varfërit duhen ndihmuar drejtpërdrejt nga shteti, e jo nga individë të veçantë”, unë jap të njëjtën përgjigje, që dhashë asokohe:
“Nuk jam fare dakord me zotin kryeministër kur thotë se është shteti ai, që duhet të kujdeset për të varfërit. Mendoj se duhet të kujdesemi të gjithë. Të gjithë kemi përgjegjësi për ta. Çdo njeri duhet të përpiqet për t’ua plotësuar nevojat vëllezërve e motrave”.
Kohët e fundit isha përsëri për vizitë në shtëpitë tona në Afrikë: kryesisht në Tanzani e në Etiopi.
Arrita në Etiopi në të njëjtën kohë me presidentin kuban, atë që e ka mjekrrën e gjatë… hë, me Fidel Kastron!
Etiopia po kalonte çaste ndryshimesh jo shumë të këndshme.
Më thanë se misionarët po dëboheshin nga vendi.
Megjithatë më siguruan se kjo nuk do t’i prekte motrat e mia, sepse ne punojmë për të varfërit.
Në Etiopi mbretëronte uria. Ishte shumë më e madhe, se ajo e viteve të thatësirës, që e provuam edhe ne, sepse erdhëm në këtë vend pikërisht në vitin 1973, kur mungonte edhe kafshata e përditshme.
Në Etiopi Zoti po na jep një mësim shumë të çmuar: na krijon mundësinë të dhurojmë deri në dhimbje.
Njerëzit këtu janë të mrekullueshëm.
S’dëgjohet asnjë ankim.
Askush nuk e ngre zërin për t’u ankuar. Aq më pak larton sytë nga qielli për të pyetur: “Pse, o Zot, gjithë kjo vuajtje?”.Ngula këmbë që motrat ta ndjenin veten më shumë se kurrë në dorë të Provanisë Hyjnore, me bindje se nuk do të arrinin kurrë deri në atë pikë, sa të mos kishin më asgjë për të dhënë. Kur lëshohesh plotësisht në dorë të Zotit, do të kesh gjithnjë diçka për të dhuruar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.