2009-08-17 17:09:44

Një kardinal e dy ipeshkvij amerikanë në Kubë.


(17.08.2009 RV)Filloi sot në Kubë vizita e kryeipeshkvit të Bostonit, kardinalit Shon O’Mali, së bashku me ipeshkvin e Orlandos (Florida) imzot Tomas Uenski dhe ipeshkvin e Shën Antonit (Teksas), imzot Oskar Kantù. Do të vijojë deri të premten e ardhshme. Në qendër të kësaj vizite - siç nënvizon i ngarkuari i episkopatit për marrëdhëniet me kishat latinoamerikane e karaibike – Atë Endrju Smoll, që shoqëron prelatët - është monitorimi i projekteve të financuara vitin e kaluar me dhurimet e katolikëve të SHBA-ve, në ndihmë të disa dioqezave kubane, për të përballuar dëmet e shkaktuara nga urgani Ajk. Nga 850 mijë dollarët, dhuruar Kishës kubane - saktësoi atë Smoll – 250 mijë u caktuan për të financuar 11 projekte për rindërtmin e zonave të shkatërruara.
Prej vitesh ipeshkvijtë amerikanë shkëmbejnë vizita me ipeshkvijtë kubanë. Vitin e kaluar, pas uraganeve, një grup ipeshkvijsh amerikanë vendosën ta vizitojnë personalisht Ishullin, për të parë me sytë e tyre dëmet dhe nevojat që, siç vërejtën, arrinin në 10 milionë dollarë. Ndërsa tani po vlerësojnë hapat para e bëra për lehtësimin e gjendjes së personave të dëmtuar, gjest që flet për afrimin e dy vendeve, jo shumë kohë më parë, kundërshtare. Të dyja kishat dëshirojnë t’i thellojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit, që ekzistojnë prej vitesh, sepse nuk i lidhin vetëm ndihmat, por edhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme, me bindjen se mënyra më e mirë për t’u mirëkuptuar, është ajo e komunikimit.
Por ish-presidenti Fidel Kastro, nënvizon se ndihma kryesore, që mund t’i jepet Kubës, është heqja e embargos amerikane, vendosur prej më se një gjysëm shekulli mbi Ishullin, në burgjet e të cilit ka ende të burgosur politikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.