2009-08-17 17:07:17

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot kujton: ‘Zoti u kërkon të gjithëve ta mirëpresin’ e fton ‘për t’ua hapur zemrën nevojtarëve'.


(17.08.2009 RV)“Zoti i kërkon secilit nga ne ta mirëpresim”: Këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, duke shpjeguar se ajo që i ndodhi Marisë, vlen për çdo burrë e për çdo grua. Më pas, një ftesë për ta mbajtur të hapur portën e zemrës për më nevojtarët:
“Nuk mund të mos prekemi nga ky përkim, që lidhet me simbolin e qiellit: Maria u ngjit në qiell, në vendin nga i cili kishte zbritur i Biri”.
Zoti mori nga Maria trupin njerëzor, për të hyrë në kushtin tonë të vdekshëm – shpjegoi Papa. Kur arriti në fund të jetës tokësore, Zoti e ngjiti korpin e Virgjërës Mari në qiell, duke e bërë të hyjë në kushtin qiellor. Prej këndej, Benedikti XVI i ftoi besimtarët për këtë reflektim:
“Është një lloj shkëmbimi, në të cilin Zoti ka gjithnjë nismë të plotë, por, në një farë mënyre, ka edhe nevojë për Marinë, që të përgatisë lëndën e flijimit të Tij: korpin e gjakun, për t’i dhuruar mbi kryq, si mjet të jetës së pasosur e, në sakramentin e Eukaristisë, si shujtë e si pije shpirtërore”.
Zoti na fton të bashkohemi me Të në sakramentin e Eukaristisë, për të formuar së bashku Kishën, Bukë e thyer për jetën e botës. Eukaristia – theksoi Papa – është mjeti i këtij shndërrimi reciprok, në të cilin Zoti është gjithnjë cak e autor kryesor:
“Ai është Kryet e ne gjymtyrët, Ai hardhia, ne shermendët. Kush ha nga kjo bukë e jeton në bashkim me Jezusin duke e lënë veten të shndërrohet nga Ai e në Të, shpëton nga vdekja e amshuar: vdes si të gjithë, duke marrë pjesë edhe në misterin e mundimeve e të kryqit të Jezusit, por nuk është më skllav i vdekjes e do të ringjallet në ditën e mbrame, për të gëzuar festën e amshuar me Marinë e me të gjithë Shenjtorët”.
Në se edhe ne themi ‘po’ si Maria – shtoi Papa – pranohemi në hyjninë e Atij, që pranoi të bëhej njeri, si ne:
“Ky mister i jetës së amshuar nis që këtu, mbi tokë: është mister feje, shprese e dashurie, që kremtohet në liturgji, posaçërisht në atë eukaristike e që shprehet në bashkimin vëllazëror e në shërbimin ndaj të afërmit. Ta lusim Zojën e Bekuar të na ndihmojnë që të ushqehemi gjithnjë me fenë e Bukës së jetës së pasosur, për ta provuar që në tokë, gëzimin e qiellit”.
Pas lutjes mariane, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në gjuhën frënge Papa iu drejtua posaçërisht të rinjve të ardhur nga Afrika e, më pas, gjithë të pranishmëve, duke i ftuar ta mbajnë të hapur portën e zemrës e të jenë ditë për ditë dëshmitarë të dashurisë së Zotit për të gjithë njerëzit, që kanë nevoja materiale ose shpirtërore.
Në anglisht, urimi që vizita e shumë shtegtarëve në Romë, në këto ditë pushimesh, të jetë rast i përshtatshëm për thellimin e fesë.
Në polonisht, porosia që besimtarët, posaçërisht në këto ditë gushti, ta adhurojnë Krishtin në kishat, që ngrihen pranë vendeve të pushimit.
Në italisht, një përshëndetje e veçantë për besimtarët e famullisë së Shën Silvestrit në Faencë dhe për të rinjtë e Treskores, shtegtarë nëpër rrugën francigjene.







All the contents on this site are copyrighted ©.