Atentat në Ingusheti. 20 të vrarë dhe më se 70 të plagosur.
(17.08.2009 RV)Një kamion bombë kamikaze shpërtheu sot paradite në Nazran,
qendra më e rëndësishme e republikës autonome të Ingushetisë. Nga atentati mbetën
të vrarë në vend 20 persona si edhe u plagosën 70 të tjerë ndër të cilët dhjetë fëmijë.
Lajmi u bë i ditur nga presidenti ad interim Gaisanov. Sipas burimeve të prokurorisë
kamioni me dinamit shpërtheu në oborrin e ndërtesës ku gjendet shtatmadhoria e policisë.
Nga shpërthimi është rrënuar edhe pallati ngjitur me të. Ndërkohë vazhdojnë kërkimet
për të shpëtuar personat që janë gjallë nën rrënojat e dy ndërtesave. Ingushetia,
republikë autonome e Rusisë jugore dhe pikë e rëndësishme kalimi për tubacionet e
gazit e të naftës, ka kohë që po përjeton një krizë të thellë ekonomike e cila vihet
re edhe në valën e dhunës që ka përfshirë vendin. Muajin që shkoi u plagos rëndë në
një atentat vetë presidenti Jevkurov. Sipas ekspertëve atentati i sotëm me kamikaze
vetëm sa e përkeqësoi situatën në vend, e cila që tani mund të quhet luftë civile.