2009-08-15 12:49:37

Solemniteti i të ngjiturit të Zojës në Qiell. Papa: “Të nxitojmë vetëm për të ndjekur Zotin”.


(15.08.2009 RV)RealAudioMP3 Gjithë jeta është luftë ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është si udhëtim në një det shpesh herë tepër të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell që lindi përmbi errësirën e historisë e na jep shpresën për të cilën kemi nevojë. Na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund. Këtë theksoi sot paradite Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në solemnitetin e të ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell, në Famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, në Kastel Gandolfo. Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin e ‘Magnificat’ dhe nxitimin e Virgjërës Mari te Elizabeta, duke shpjeguar se e gjithë jeta duhet të jetë ky nxitim i shenjtë, me vetëdijen se Zoti zë gjithnjë vendin e parë në jetën e çdo njeriu e se asgjë tjetër nuk duhet të na bëjë të nxitojmë në rrugët e jetës.
Papa arriti në këmbë nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos në famullinë, ku e prisnin qindra besimtarë, vendas e të huaj. Shoqërohej nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, nga Georg Racinger, që vijon pushimet pranë të vëllait, nga prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Xhejms Harvei dhe ipeshkvi i Albanos, imzot Marçelo Semerari.
Pasi përkëdheli disa fëmijë në krahët e nënave, Benedikti XVI i përshëndeti besimtarët me të dyja duart, ndonëse vijon ta ketë kyçin e djathtë në allçi. Kremtoi, në fillim, ritin e bekimit dhe u gjunjëzua për pak çaste para një elteri. Kryesoi, më pas, Meshën Shenjte, në homelinë e së cilës u përqendrua kryesisht tek solemniteti i sotëm, që kurorëzon ciklin e kremtimeve të mëdha liturgjike, në të cilat kundrojmë rolin e Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit. Zënia pa mëkat, Lajmërimi, Amësia Hyjnore e të Ngjiturit në Qiell janë etapat kryesore, të lidhura ngusht ndërmjet tyre, me të cilat Kisha larton e këndon fatin e lum të Nënës së Zotit. E në këtë fat mund të lexojmë edhe historinë tonë. Misteri të Zënit pa mëkat të Marisë – shpjegoi Papa - të kujton faqen e parë të jetës njerëzore, duke na treguar se, në planin hyjnor të krijimit, njeriu duhet të kishte pastërtinë e bukurinë e së Papërlyerës. Ky plan, i rrezikuar, por jo i rrënuar nga mëkati, përmes mishërimit të Birit të Zotit, u realizua plotësisht në Marinë, gjë që i krijoi përsëri njeriut mundësinë për ta pranuar lirisht në fe. Së fundi, në të ngjiturit e Marisë në qiell kundrojmë cakun ku duhet të arrijmë në mbarim të shtegtimit tonë mbi tokë, duke ndjekur Krishtin e duke iu bindur fjalës së tij.
Më pas Benedikti XVI komentoi faqen ungjillore të Shën Lukës, që na përshkruan sesi Maria u nis me nxitim në krahinën malore, për të vizituar Elizabetën. Me shtegtimin e saj plot bindje – shpjegoi Papa – na tregon se duhet të përshkojmë ngutshëm një udhë të re, duke e lënë vetën plotësisht në dorën e Zotit. Më pas Ati i Shenjtë citoi Shën Ambrozin i cili, duke komentuar nxitimin e Marisë, pohon: “Hiri i Shpirtit Shenjt nuk pranon ngadalësi. Jeta e Zojës udhëhiqet nga një Tjetër, modelohet nga Shpirti Shenjt, përshkohet nga ngjarje e takime, si ai me Elizabetën por, mbi të gjitha, nga lidhja krejtësisht e posaçme me Birin e saj, Jezus. Është shtegtim në të cilin Maria shikon në të gjitha ngjarjet e jetës planin e thellë e misterioz të Hyjit Atë për shpëtimin e botës”:
“Në sa e ndjek Jezusin nga Betlehemi në Egjipt, në jetën e mënjanuar e në atë publike, deri tek këmbët e Kryqit, Maria jeton ngjitjen e saj të vazhdueshme drejt Hyjit me frymën e Magnificat, duke u bashkuar plotësisht, edhe në çastin e vuajtjes, me planin e dashurisë së Zotit, aq sa të bëhet paradigmë për fenë e Kishës”.
Më pas Papa kujtoi se jeta e çdo njeriu ka një cak të mirëpërcakuar:
“Ngjitja e Zojës në qiell na kujton se jeta e Marisë, ashtu si jeta e çdo të krishteri, është shtegtim pas Krishtit, që ka një cak tejet të përcaktuar, një ardhmëri të qartë: fitoren përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe bashkimin e plotë me Hyjin”.
Por ndërsa ne nuk jemi të bashkuar ende përsosurisht me Krishtin, Virgjëra Mari hyri plotësisht në bashkim me Hyjin, me Birin e vet:
“Jeta e njeriut mbi tokë tha Benedikti XVI duke komentuar leximet biblikeështë shtegtim që vijon në frymën e tensionit të luftës ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është si udhëtim në një det shpesh herë tepër të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell që lindi përmbi errësirën e historisë, për të na dhënë shpresën se do të fitojmë, se nuk do t’i nënshtrohemi përgjithnjë së keqes e mëkatit, në pritje të qiellit të ri e tokës së re”.
Në përfundim, me fjalët e Shën Bernardit, këngëtarit mistik të Marisë, Ati i Shenjt i ftoi besimtarët t’i drejtohen Nënës së Zotit me fjalët: “Të lutemi, o e Lume, për hirin që gjete, për privilegjet që meritove, për Mëshirën që linde! Na e nxirr hirin që Ai, i cili nëpër ty u denjua të merrte pjesë në mjerimin e në gjymtimin tonë, falë lutjes sate, të na bëjë pjesëmarrës në lumninë e tij të amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, Zoti ynë, i cili është mbi gjithçka, Hy i bekuar në shekuj të shekujve. Amen!

Në mesditë, takimi tradicional i Engjëllit të Tënzot, në Oborrin e Pallatit Apostolik të qytezës laciale. Në qendër të vëmendjes, festa që u kremtua sot, në zemër të gushtit, kur shumë njerëz nga të katër anët e botës vijojnë pushimet verore, si dhe devocioni i Shën Gjon Vianejt, famullitarit të Arsit, të cilit Papa i kushtoi Vitin meshtark, për Zojën e Bekuar.
Është hera e pestë që Benedikti XVI kryeson ritet e solemnitetit të të ngjiturit të Zojës në Qiell, festa më e lashtë mariane.







All the contents on this site are copyrighted ©.