2009-08-15 12:53:47

Rubrika ‘Me Nënë Terezën”: “Të bëjmë gjëra të vogla”.


(15.08.2009 RV)RealAudioMP3 Vijojmë leximin radiofonik të librit ‘Jeta ime’. Në emisionin e trembëdhjetë të ciklit ‘Me Nënë Terezën’, e Lumja shqiptare, përmes porosive që u jep motrave të saj, i fton gjithë të krishterët të shkojnë kundër rrymës, të heqin dorë nga etja për të kryer vepra të mëdha e ta gjejnë gëzimin edhe në veprat më të vogla e më të parëndësishme. Ta dëgjojmë:

"Mos kundërshtoni, kur ju ngarkojnë të bëni punë në dukje të vogla e të parëndësishme.
Çdo vepër e kryer me dashuri, është vepër e paqes, e fakti se duket tepër e vogël, nuk ka pikë rëndësie.
Sa urrejtje e mllefe ka në botë! Për arsye nga më të ndryshmet.
Nuk mund të fitojmë mbi ta duke luftuar, duke përdorur bomba e armë të tjera, që vrasin, që hapin plagë, që shkretojnë: mund të fitojmë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqeje.
Besoj se ishte Shën Vinçenc de’ Paoli ai që ua thoshte këtë dëshirtarëve të Kongregatës së tij:
“Nuk duhet të harroni kurrë se të varfërit janë zotërinjtë tanë: ata duhet t’i duam e t’i dëgjojmë”.
A nuk ndodh nganjëherë që të varfërit të trajtohen si thasë plehërash në të cilët flakim mbeturinat?
“Këtë gjellë nuk mund ta ha, prandaj po ua fal të varfërve. As këtë fustan nuk e dua më. Nuk më pëlqen. T’ia falim të varfërve!”
A e ndajmë vërtetë gjithçka me të varfërit?
A bëhemi një me ta e a jemi solidarë, ashtu si na mëson Ungjilli?
Në se do të shkojmë tek të varfërit për të ndarë me ta dashurinë për Zotin, për t’u çuar gëzimin e Jezusit, që është forca jonë, jam e bindur se bota nuk do të ketë më uri e etje për paqe e për dashuri".  







All the contents on this site are copyrighted ©.